Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën në ngarkim të Sali Berishës, për në orën 14:00 të ditës së sotme. Ish-kryeministri kërkon në apel shfuqizimin e vendimit “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit.”, pasi mbi të është ngritur akuza e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.
Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohen nga SPAK në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ndërkohë SPAK ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi me argumentin e konfliktit të intetesit.
“Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 24.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 17.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 442, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konstatimin e humbjes së fuqisë së masave të sigurimit:
“Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 14:00.”-thuhet në njoftimin e gjykatës.