Berisha i pandehur nga SPAK, Tabaku e pranon: Lajm i keq për PD!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka konsideruar një lajm jo të mirë marrjen si të pandehur të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me çështjen “Partizani”.

Në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Tabaku tha se një zhvillim i tillë do të ndikojë edhe në Partinë Demokratike.

Ajo është shprehur dhe ka uruar që një proces i tillë të përfundonte sa më shpejt, qoftë për të mirën e PD-së ashtu edhe për faktin se kemi hyrë në një vit elektoral.

Ndër të tjera deputetja është ndalur dhe te protesta e zhvilluar para SPAK nga mbështetës të PD-së ditën kur Berisha u paraqit në Prokurori, për të cilën tha se “kjo nuk përbën lajm, për shkak se ka më shumë se një vit që kudo ku ndodhet Berisha protestohet”.

Tabaku tha se ka kërkuar bashkimin e PD-së dhe nuk ka pasur asnjë dyshim që PD duhej të ishte bashkë.

Deputetja demokrate tha se e kishte me pak emocione rikthimin në mbledhjet e Grupit Parlamentar, referuar zhvillimeve të viteve të fundit.

“Bashkimi i PD po ndodh realisht, ne duhet të ecim përpara me ofertën elektorale dhe aksionin elektoral”, tha Tabaku.

Duke komentuar çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, Tabaku tha se 3 herë Parlamenti ka marrë në mbrojtje duke mos zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja theksoi se po krijohet një precedent i rrezikshëm lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke kujtuar këtu 3 vendimet për Xhaçkën, atë për profesionet e lira, atë për Komisionet Hetimore, që nuk po zbatohen.

“Çfarë Shqipërie është kjo e 2024, kur nuk ka respekt për vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Vendimi është i qartë: Kuvendi ka vetëm një detyrë, ta çojë në Kushtetuese”, tha Tabaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com