Berisha e Malltezi nesër në SPAK, gazetarja: S’janë mbyllur hetimet, por do të merren në pyetje për…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, do të paraqiten nesër pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, për t’u njohur zyrtarisht me akuzën që rëndon ndaj tyre.

Sipas gazetares Anila Hoxha, e cila dha ekskluzivisht lajmin për Top Channel një ditë më parë, tha për Fiori Dardhën në “Breaking” se Berisha do të njihet me akuzën në orën 12:00 ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi në orën 14:00.

Gjithashtu nesër pritet që të ndryshojë edhe statusi i Sali Berishës i cili deri tani ka statusin dhe cilësinë e personit nën hetim, në person të pandehur që është edhe për Malltezin.

“Prokuroria e Posaçme është në limitet e afateve hetime për mbylljen e veprimeve hetimore. Rregulli parashikon që nesër të parashtrohet kërkesa për t’u pyetur në lidhje me gjetjen e deritanishme të grupit të hetimit për dosjen e Partizanit. Nesër mbasi te ezaurohet marrja në pyetje edhe ballafaqimi me faktet, pritet gjithashtu që statusi i ish-kryeministrit të ndryshojë nga një person nën hetim të jetë me statusin një ‘personi të pandehur’.

Rregulli e do gjithashtu që të komunikohet akuza dhe në formë shkresore, pra jo vetëm verbalisht, atij dhe avokatit të tij mbrojtës. Vetëm në këtë mënyrë konsiderohet akuzë zyrtare dhe e kundërshtueshme, por gjithashtu që e çon Sali Berishën në pozitën për të përgatitur dhe mbrojtjen e tij dhe lëvizjet që ai do të ketë në vazhdim”, tha Anila Hoxha.

Gazetarja thotë se Berishës do t’i komunikohen të njëjtat akuza, pra ajo e pastrimit të parave dhe korrupsionit.

“Nëse ne do t’i referohemi qëndrimeve të vazhdueshme të Prokurorisë se Posaçme për mjaft persona të tjerë, si persona nën hetim në dosje të tjera, ne kemi parë se qëndrimi i SPAK kryesisht dhe më së shumti është pikërisht ai që ka patur edhe në momentet fillestare të hetimit, pra, ka mbajtur të njëjtat pozita në lidhje me veprat penale.

Thënë thjesht nëse ne do t’i qëndrojmë pikërisht kësaj formule që SPAK ka mbajtur, me shumë mundësi ish-kryeministrit Sali Berisha, mund t’i komunikohen të njëjtat vepra penale për të cilat ai, deri në këto orë ka mbajtur statusin e personit nën hetim dhe ka patur gjithashtu edhe masë sigurie ndaj tij. Veprat penale, për të cilat ai është person nën hetim deri sot janë ‘korrupsioni dhe pastrimi i parave’, po ashtu edhe për Jamarbër Malltezin dhe biznesmenin Fatmir Bektashi”, sipas Hoxhës.

Por, sipas gazetares, hetimet nuk mbyllen nesër. Nesër do të pyeten për ato se çfarë ka hetuar Prokuroria e Posaçme.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com