Ish-kryeministri Sali Berisha uron besimtarët myslimanë festës e Fitër Bajramit.
“Gëzuar Fitër Bajramin. Të dashur miq, besimtarëve muslimanë dhe veçanërisht atyre që agjeruan, ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin. Zoti Mëshirëplotë ua pranoftë sakrificat dhe lutjet, sjelltë në familjet tuaja paqe, begati, si dhe për vatrën tonë të përbashkët, Shqipërinë, lehtësim të vështirësive, prosperitet e dinjitet”, shkruan Berisha në postimin e tij në Facebook.
Kujtojmë se Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej dhjetorit të vitit të kaluar, nën akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e ish-kompleksit Partizani.
Edhe kryetari zyrtar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri një urim në Facebook për të gjithë besimtarët myslimanë.
“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit! Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë. Zoti ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin!”, shkruan Basha në Facebook.
Pas lindjes së diellit, besimtarët myslimanë kurorëzuan sot një muaj agjërimi dhe adhurimesh me namazin e Fiter Bajramit.
Kjo praktikë fetare, edhe këtë vit u krye në sheshin Skënderbej, nga ku u drejtuan lutje për falje dhe mëshirë e begati.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu nënvizoi se urtësia e agjërimit, namazit dhe adhurimeve të tjera, qëndron tek qëllimi për të përmirësuar karakterin moral dhe shpirtëror. Vazhdimësia e punëve të mira është një nevojë për shoqërinë.
Festa e Bajramit mbledh bashkë të njohur e të panjohur, të dashurit e zemrës, familjarë dhe miq, për të ndarë së bashku gëzimin e kësaj dite.
/a.r