Avokat Idajet Beqiri u shpreh në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1 se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani u tregua i dobët me deklaratën e tij kur u ankua për Policinë e Shtetit se nuk bashkëpunon me institucionin që ai drejton.
Sipas Beqirit, Dumani e ka të hapur gjithnjë zyrën e ministrit të Brendshëm apo edhe të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe madje nëse nevojitet t’i thërrasë ata në zyrë.
Beqiri vuri në dukje se deklaratat e tij ankuese tregojnë vetëm dobësi. Për këtë arsye, avokat Beqiri theksoi më tej se Dumani duhet të tregojë më shumë guxim dhe të veprojë dhe të mos i lërë dosjet të pluhurosen.
“Në rastin konkret nuk ka vend për justifikime dhe për ta hedhur përgjegjësinë diku. Dumani duhet të komunikojë siç duhet me institucionet e këtij shteti. Dumani nuk e ka kurrë të pahapur zyrën e ministrit të Brendshëm. Nuk e ka kurrë zyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit të pahapur. Atyre sikur Dumani t’i thërrasë, të shkojnë ata te Dumani.
Nuk them se nuk ka shqetësime për dekonspirime të ndryshme. Nuk them që nuk ka përplasje kur vjen problemi për fakte, për dyshime të arsyeshme që ia servir një drejtori të policisë dhe sheh rezistencë atje. Në këtë drejtim, ai del dhe kërkon ndihmë por deklarata e tij tregoi dobësi.
Por në këtë rast, drejtuesi i SPAK-ut sikurse drejtori i policisë së Shtetit, sikurse prokurori i përgjithshëm, dhe gjykatat nuk i ankohen por veprojnë.
Dumani u shfaq i dobët dhe nga ana tjetër kam frikë se ato dosjet që mban atje që po zënë pluhur, s’ia ka fajet Policia e Shtetit, por e ka ai. Të rrisë shkallën e guximit te vetja e tij dhe të dijë të përballojë kundrapedalet brenda SPAK-ut”, u shpreh Beqiri.
/a.r