Skandali i mbetjeve të nisura drejt Tajlandës ka rikthyer në vëmendje veprimtarinë e parregullt të kompanisë turke Kurum nga e cila rezulton se dolën mbetjet e rrezikshme.
Kompania “Kurum” operon në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash dhe nëse i rikthehemi historisë konstatohen një sërë shkeljesh e borxhe që kompania ka ndaj shtetit. Nisi aktivitetin në Shqipëri në vitin 2000 kur në pushtet ishte Fatos Nano. Ndërkohë që në kohën kur në qeveri ishte Sali Berisha përfitoi asete të rëndësishme energjetike shtetërore. Ekspertët në atë kohë e kritikuan ashpër shitjen e katër hidrocentraleve rentabël me çmime të ulëta. Hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2 u shitën për 52 milion euro. Ndërsa Ulza e Shkopeti u shitën për 57.5 milion euro. Ndërkohë që në vitin 2016 për shkak të borxheve të mëdha, keqmenexhimit dhe vjedhjeve përfundoi në gjykatë duke kërkuar shpalljen e falimentimit. Një fakt ky që është denoncuar edhe nga deputeti Erjon Braçe me anë të një statusi në rrjetet sociale.
Gjykata e Tiranës, caktoi një administrator të përkohshëm falimenti Lindita Kikino e cila konfirmohet edhe nga ekstrakti i Qendrës Kombëtare të Biznesit për të mbikëqyrur sipas një plani riorganizimi përmbushjen e pretendimeve të kreditorëve të Kurum. Po çuditërisht Kurum arriti ti shpëtojë këtij falimenti duke vijuar aktivitetin ndërsa tashmë rrezikon të lerë të papunë qindra punonjës./Tema