Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një intervistë për CNA TV, deklaroi se së fundmi ka mësuar në rrugë informale se ka nisur një hetim ndaj tij, bazuar tek akuzat e kundërshtarëve.
Sipas Këlliçit, këto hetime po bëhen me synim për t’i mbyllur gojën lidhur me aferën e inceneratorëve, edhe pse demokrati shprehet se do t’i shkojë deri në fund. Vetë Këlliçi nuk thotë se për çfarë çështje po hetohet dhe është survejuar konkretisht, por nga retorika e Berishës që dha lajmin i pari dhe e atij vetë duket se kemi të bëjmë me dosjen e Inceneratorëve.
“Kam shumë pak ditë që kam marrë një informacion, që përmes letrave anonime, Policia e Shtetit, SPAK-u, nuk e di kush, vetë Erion Veliaj ndoshta, Policia Bashkiake, kanë hapur një hetim. Më kanë vendosur në survejim dhe po mundohen të më ndalojnë dhe intimidojnë në lidhje me denoncimet që unë kam bërë dhe vijoj të bëj për çështjen e inceneratorëve. Kështu që e gjitha kjo është një metodë shantazhi për të më mbyllur gojën, por që nuk do t’ia dalin dot“, u shpreh Këlliçi.
Gjatë intervistës, Këlliçi akuzoi botuesin Karlo Bolino se shpërblehet nga kryeministri Edi Rama për të sulmuar opozitën.
“Abuzuesve më të mëdhenj në këtë vend me lirinë e medias, që ka ngritur një media që vetëm shpif dhe baltos nga mëngjesi deri në darkë, që quhet Karlo Bolino. Një person për të cilin po përgatitet një kallëzim i dytë penal për vjedhje të fondeve publike dhe ka bërë një televizon që godet dhe shan nga mëngjesi deri në darkë opozitën“./m.j