Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ka folur dhe për rastin e Fredi Belerit, ku ka thënë se nuk është çështje europiane, por e drejtësisë shqiptare.
Ai ka theksuar se koha kur gjykatat trajtohen si përkatësi partiake, ka mbaruar dhe se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave.
Ministri Hasani veç këtij debati, vlerësoi mbështetjen institucionale që Parlamenti Evropian ka dhënë ndaj Shqipërisë ndër vite, për përparimin në rrugën e integrimit evropian, duke vënë në dukje se raporti i fundit i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i miratuar nga shumica dërrmuese e seancës plenare, është një dëshmi e fortë e kësaj mbështetjeje.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal tek zhvillimet e fundit në lidhje me implikimet që ka sjellë agresioni Rus ndaj Ukrainës për sigurinë në Evropë dhe natyrisht edhe për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila, siç theksoi ai, mbetet shumë shqetësuese.
Përgjigja e vetme ndaj këtyre sfidave, shtoi Hasani, është forcimi i bashkëpunimit strategjik mes vendeve të rajonit dhe BE-së në të gjitha dimensionet, sidomos në çështjet e politikës së jashtme, forcimit të sundimit të ligjit, si edhe në çështjet e zhvillimit ekonomik.
Ministri e vlerësoi faktin që BE-ja e ka shtuar fokusin e saj tek gjeopolitika dhe elementi i sigurisë, sidomos pas vendimeve që e kanë përforcuar perspektivën evropiane të vendeve të Partneritetit Lindor, por nga ana tjetër shprehu keqardhjen që Këshilli i Dhjetorit të vitit 2023 nuk arriti t’i përgjigjet pozitivisht pritshmërive të Shqipërisë për të hedhur hapin më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, nisjen e negociatave për grupkapitullin e “themeloreve”.
/f.s