Gjykata Administrative shqyrton sot kërkesën e Alfred Belerit për pezullimin e zbatimit të dekretit të Presidentit për caktimin datës së zgjedhjeve për Bashkinë Himarë. Kërkesa e Belerit do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Gjamo, e ndërsa palë të treta në gjykim janë KQZ dhe Avokatura e Shtetit.
“Marrjen e masës së sigurimit të padisë. Pezullimi i zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar”, thuhet në objektin e padisë së depozituar në Administrative.
Përfaqësuesja e Belerit, avokatja Klodiana Gjyzari ka dhënë argumentet pse kundërshton dekretin.
“Dekreti i Presidentit kundërshtohet edhe nga Alfred Beleri, edhe nga Partia Bashkimi për të Drejtat e njeriut. Dekreti cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e paditësve.Presidenca dhe Avokatura e Shtetit ka të njëjtat prapësime. Pretendojnë se ne nuk legjitimohemi në proces. Ne vlerësojmë se Beleri ka një mandat të vlefshëm, mandat që ka vlerë deri në 5 gusht, kohë kur ai ka të drejtë ankimi. Deri në ushtrimim e kësaj të drejte mandati i tij është i ligjshëm, pasi vendimi i KQZ nuk është i ekzekutueshëm. Ne kemi kërkuar shfuqizim të dekretit”, tha Gjyzari.
Më 5 korrik, Presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë, menjëherë pasi KQZ vendosi heqjen e mandatit të Blerit si kryebashkiak i Himarës.
Beleri është arrestuar më 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve në Himarë, dhe aktualisht vuan dënimin me burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
/a.r