Presidenti Bajram Begaj, priti sot (7 qershor) në një takim shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral Metin Gyrak (o. Gürak).
Presidenti i Republikës theksoi gjatë bisedës se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë në nivele shumë të larta në të gjitha fushat. Presidenti vlerësoi se në siguri dhe mbrojte ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve.
Në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, presidenti Begaj e falënderoi gjeneralin Gyrak, për ndihmën në vazhdimësi të edukimit dhe trajnimit të efektivave ushtarakë shqiptarë.
Kreu i shtetit i përcolli gjeneral Gyrakut vlerësimet për kompletimin e ushtrisë shqiptare me dronët Bajraktar, si dhe ndihmën e dhënë ndaj Kosovës me mbështetjen për Forcën e Sigurisë dhe përmes KFOR-it, ku Turqia ka aktualisht komandën.
/a.r