Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, në lidhje me ngjarjen e bërë publike sot, ku bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj ka plagosur muaj më parë ish-vartësin e kësaj të fundit.
Sipas tij, ministrja duhej shkarkuar nga detyra që atëherë, ndërsa shpreh kritika për Policinë e Shtetit e cila e mbajti të fshehtë ngjarjen.
Reagimi i plotë:
Kryeministri i Spanjës tronditi opinionin publik këto ditë kur pezulloi punën dhe tha se po mendonte të jepte dorëheqjen për shkak se bashkëshortja e tij po hetohej për korrupsion. Pra po hetohej për korrupsion, nuk ishte dënuar çka do të thotë se gjatë hetimit mund të dalë edhe e pafajshme.
Kryeministri ynë, që kërkon të marrë në çdo kohë vëmendjen e mediave, i doli në mbrojtje dhe shprehu bindjen se gjithçka do të jetë në favorin e homologut spanjoll.
Pa u tharë boja e lajmit të kryeministrit tonë, sot mediat publikuan një ngjarje të nëntorit të kaluar ku burri i ministres Delina Ibrahimaj ka plagosur në mes të ditës, në mes të Tiranës, një ish-vartës të bashkëshortes së tij.
Po sot, do dalë kryeministri ynë dhe të mbështesë publikisht vartësen e tij, me bindjen se thika që burri i saj nguli në trupin e Drejtorit të Trajtimit të Kredive, ishte lodër dhe jo e vërtetë?
Më e pakta, ministrja duhej shkarkuar që atëherë. Ndërkohë vetë ministrja do duhet që të kishte marrë shembull nga ish kolegu saj Rr.Rr i cili la mandatin pasi familjarët iu përfshinë në një akt dhune në një lokal.
Po Policia e Shtetit e cila bën njoftim publik edhe për gjënë më të thjeshtë, pse e ka mbajtur të fshehtë?!
Kryeministri nuk e shkarkoi ministren atëherë, le ta bëj tani. Ndërkohë edhe vetë ministrja mund të jap dorëheqjen.
Më pas të gjejë kohën dhe të merret me Melonin, Rai-n, kryeministrin spanjoll apo edhe me zgjedhjet në Amerikë po të dojë.