Bashkë me dhëndrin ikën edhe financimi i “Rithemelimit”

Nga Ardit Rada

Kush mendon se Sali Berisha dhe familja e tij po përballen me orët më të vështira dhe po u del angazhimi politik nga hunda, gabon. “Qameti” s’ka ardhur ende dhe këtë e dikton paniku në deklaratat e Sali Berishës, që ka nisur të flasë me letër për qëndrimet e tij pasi s’i beson më as vetes. Së dyti është braktisja që i kanë bërë të gjithë ditët e para të përballjes me drejtësinë ku Amerika ka hedhur miliardat për ta bërë Shqipërinë shtet.

Njeriu që deri dje përbetohej se do ikte nga politika po t’i sillnin edhe një fakt të vetëm për non-gratën, tani mohon çdo fakt si shejtan-budalla, dukshëm i bërë pishman për aferën që e ka stisur aq trashë.

Çdo sqarim publik i Sali Berishës pas akuzave, pritej. Pikërisht duke e pritur ditën e errët që do të vinte për të, ai e ka akuzuar drejtësinë çdo ditë dhe kur nuk flitej për të. Madje edhe te kundërshtari politik nuk akuzon më për korrupsion e trafik, por përfshin drejtësinë. Ermonela Felajt i thotë se ka kapur Prokurorinë e Tiranës. Taulant Ballës i thotë se ka simotër prokuroren Enkeleda Millonai, e kështu me radhë.

Edhe kur vjen puna te socialistët e arrestuar, prap s’i ka qeshur buza kurrë sepse priste radhën e tij. E ka me kolaj të thotë që ua ka bërë Edi Rama sesa të pranojë që Lefter Koka, Alqi Bllako, Saimir Tahiri e të tjerë janë arrestuar falë denoncimeve të Partisë Demokratike.

Në këtë mesele veç Berisha është i vetmi i verbër që s’do sy të shohë dhe kjo është gjysma e suksesit për ata që s’e duan.

Sot Sali Berisha është i vetmi personazh që ka humbur çdo betejë me drejtësinë. Atë me SHBA-në në Paris e la vetë. Këtu me gjyqtarin e tij i dështoi plani për vulën. Tani po e fusin në burg “veriorët” e tij Kraja e Dumani.

Ka dhe një pakicë që mendon se Berisha “s’ka bërë ndonjë gjë të madhë” për rastin e ish-kompleksit Partizani. Apo që besojnë qarjet e tij LIVE në konferenca shtypi.

Po ish-kryeministrat, homolgë të tij: Vlado Buçkovski, Timoshenko, Zhak Shirak, Hose Sokrates, Ivo Sanader, Fransua Filon, Nikola Sarkozi, Gruevski etj; Dini gjë që kanë hedhur bombën atomike? Ja për kështu skemash korruptive janë dënuar. Herë partia, herë dashnorja e herë dhëndri.

Por ky i joni e vuan shumë, se bashkë me dhëndrin i ikën edhe financimi i ‘Rithemelimit’…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com