Nga “Ditari” i A2CNN, deputeti demokrat, Saimir Korreshi zbuloi se cilët do të jenë hapat e radhës të opozitës për reformën zgjedhore dhe për përplasjet e brendshme me PD-në zyrtare të Lulzim Bashës.
I vendosur përballë faktit se Basha ka gati programin elektoral për zgjedhjet e 2025 dhe brenda një viti do të publikojë kandidatët, Korreshi nuk e kurseu ironinë. Ai tha se demokratët e Rithemelimit dhe grupit Bardhi do të presin “ndonjë byrek nga shoku Luli”.
“Ne do të përgatitemi mbrapa atyre sepse të shikojmë njëherë a do na vejë shoku Luli, a do ketë ndonjë byrek edhe për ne. Në qoftë se nuk do të ketë ndonjë byrek edhe për ne, ia lëmë shokut Luli të ecë përpara. Unë shpresoj që ai t’i gjejë 140 kandidatë, megjithatë t’ia lëmë marsit. Po vitin e tha gjë ai apo jo? Marsin e kujt viti. Ëëë deri në mars të 2025… paskemi kohë”.
Sa i përket debatit për bashkëkryetarin e komisionit bipartizan të reformës zgjedhore, ku kërkohet zëvendësimi i Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin, deputeti demokrat tha se beteja nuk është për emrin, por për respektin ndaj votës opozitare.
“Beteja është për bashkëkryetarin. Ai bashkëkryetari që pretendon se është i PD-së që flet me ato tonet e serta, nuk e di pse nuk foli gjatë dy viteve. Ai kishte gjithë mundësinë e mundshme të thërriste komisionin e reformës zgjedhore, siç ndodhi me komisionin e reformës territoriale. Këta dy vjet i ranë tenxheres dhe kusisë dhe tani kujtohen që ka reformë dhe thonë pastaj që dua të jem unë bashkëkryetar. Nuk është te bashkëkryetari si emër, por respektimi i votave që janë dhe deputetëve të opozitës.”
/f.s