Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nisin punën për reformën zgjedhore.
Report Tv mëson se bashkëkryetarët e komisionit bipartisan të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj u takuan sot ndërsa i kanë dërguar dhe një letër misionit të OSBE/ ODIHR-it që t’u atashojnë ekspertët e tyre pranë komisioni.
Letra që e siguron dhe Shqiptarja.com është firmosur nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.
Letra
Na lejoni fillimisht të shprehim falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për kontributin që OSBE/ODIHR ka dhënë gjatë këtyre viteve për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në një prej themeleve të rëndësishme të saj, siç janë zgjedhjet. Me vendimin nr. 12, datë 10.02.2022, të ndryshuar, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore. Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse.
Për këtë arsye, ashtu siç ramë dakord me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it në takimin e zhvilluar në Dhjetor 2023, ku diskutuam punën e Komisionit dhe nevojën që pranë Komisionit të vendoset në dispozicion ekspertiza e ODIHR-it, kemi kënaqësinë që në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore t’ju paraqesim kërkesën për të kontribuuar me ekspertë të fushës së zgjedhjeve, të ODIHR-it, për të asistuar punën e këtij Komisioni.
Mënyra e komunikimit të ekspertëve të caktuar nga ju, me Komisionin e Reformës Zgjedhore, mund të përcaktohet në vijim të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm.
Duke ju falenderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin tuaj,
Sinqerisht,
BASHKËKRYETARËT
Damian GHKURI
Enkelejd ALIBEAJ
Nderkohe kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot i pranishëm në Kuvend, ndërsa në një prononcim për mediat pas mbylljes së seancës plenare është pyetur në lidhje me takimin e zhvilluar mes Enkelejd Alibejat dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri.
Basha tha se takimi nuk ka qenë sekret, ndërsa shtoi se PD insiston që debatet për Reformën Zgjedhore të bëhen në publik.
“Asgjë nuk ka dhe nuk do të jetë sekrete. PD insiston qe debate për reformën zgjedhore të behet në publik. Është në interes publik që ky debat të mos vonohet më. Ka muaj që ky debat, nën alibi të ndryshme, i ka ikur përgjegjësisë për të mbledhur komisionet e Reformës Zgjedhore dhe shpresoj që edhe me insitimet e ndërkombëtarëve, këtyre alibive t’u vijë fundi dhe komisonet të mblidhen këtë javë”, tha Basha./m.j