Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti thirrjen për qeveri teknike sërish këtë të martë.
“Miqtë e mi, ka ardhur koha në një betejë në mosbindje civile, t’i shkurtojmë ditët kësaj qeverie. Të krijojmë qeverinë teknike në mënyrë që shqiptarët të zgjedhin me votën e lirë përfaqësuesit e tyre”, theksoi kryedemokrati në fjalën e mbajtur gjatë protestës poshtë banesës së tij.
Nje deklarate e cila duket sikur s’ka lidhje me dakordesimin e arritur sot mes Rithemelimit dhe PS per komisionet hetimore dhe elemente te tjere te bashkepunimit parl;amentar. Me sa duket Bardhi ende nuk ka ‘raportuar’ per negociatat tek Berisha, teksa ky i fundit vijon me kerkesen e pamundur per qeveri teknike.
Berisha shprehu bindjen se opozita do të mundë socialistët në kushtet e garantimit të votës së lirë.
“Të votojnë me votën e lirë opozitën dhe unë i garantoj qytetarët shqiptarë se PD do bëjë gjithçka për një ndryshim të shpejtë, të plotë, të fuqishëm të gjendjes katastrofale. Po dhe po. Në Shqipëri nuk do sundojnë bandat, po do sundojë ligji dhe vetëm ligji. Në Shqipëri me gërshërët e ligjit do t’i priten duart atij që do të guxojë të prekë pasurinë publike, të vjedhë të ardhurat tuaja, taksat tuaja.
Në Shqipëri, pasuritë do të kthehen në mirësi për qytetarët. Në dyfishim rrogash, dyfishim pensionesh, në përmirësim cilësor të arsimit, në garantimin e një shërbimi shëndetësor dinjitoz, efiçent, siç e meritoni. Shqipëria do jetë vendi ku liritë dhe të drejtat e qytetarëve do respektohen, do të garantohen. Ku libri themelor i shtetit, Kushtetuta do sundojë mbi çdo ligj tjetër”, shtoi Berisha./m.j