Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Bajram Begaj, duke u shprehur se qëndrimi publik i këtij të fundit është “mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare”.
Bardhi u shpreh se Presidenti përdori një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.
Ai shtoi se grupi i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur t’ia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Rama.
Reagimi i plotë:
Qëndrimi publik i Presidentit të Republikës është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare. Ashtu siç pritej, Kreu i Shtetit nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por me një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.
Duke e konsideruar këtë një akt antidemokratik dhe një sulm të pashembullt të Presidentit të Republikës ndaj opozitës, e siguroj që Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur tia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Edi Rama!/m.j