Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, shpalosi sot para qytetarëve të Fierit hartën infrastrukturore të Shqipërisë. Sipas saj infrastruktura mbetet një nga prioritetet kyçe të qeverisë në rrugëtimin drejt objektivave të “Shqipërisë 2030”. Gjatë aktivitetit “Infrastruktura, arritjet dhe sfidat”, Balluku tha se aktualisht janë hapur 40 kantiere ndërtimi në të gjithë vendin, ndërsa janë ndërtuar apo rehabilituar mbi 1000 kilometra rrugë.
“Infrastruktura është kolona bazë e çdo sektori ekonomik – turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Kemi 40 kantiere të hapura në të gjithë vendin. Kemi bërë një transformim radikal, duke ndërtuar akse rrugore me parametra dhe kritere europiane, këto kantiere përfshijnë vepra arti që studentë të ndërtimit apo arkitekturës mund t’i përdorin si orë mësimorë, përmend këtu tunelin e Murrizit” u shpreh Balluku.
Një nga projektet kryesore që theksoi ministrja ishte aksi Kashar-Lekaj, një rrugë e re që lidh veriun me jugun pa kaluar nëpër Tiranë, pjesë e Korridorit Blu – një nga korridoret më të rëndësishme europiane për transportin e mallrave dhe pasagjerëve. Segmenti përfshin 2 tunele, 6 ura dhe 9 nënkalime, dhe pritet të përfundojë brenda afatit të kontratës.
“Në harkun e 2- viteve do të dorëzojmë Thumanë-Milot dhe Milot Balldren. Nga Kashari në Lekaj kemi një gjurmë krejtësisht të re që lidhet me Tiranën, duke krijuar kështu një udhëtim pre 33 kilometrash siç është Korridori Blu me një shpejtë 130 k/orë. Duke i dhënë një akses të gjitha autostradave të Veriut që të lidhen me ato të jugut pa kaluar në kryeqytet. Ky segment është tërësisht i ri. Ne kemi 2 tunele, 6 ura, 5 ura dhe 9 nënkalime. Një vepër infrastrukturore e kompletuar me të gjitha veprat e artit, nuk është e lehtë të. Lekaj-Kashar do të dorëzohet në afat me të gjitha parametrat kryesore siç e parashikon kontrata”, tha Balluku.
Duke folur për aksin Thumanë Milot, Balluku theksoi se “ky është një projekt i përfunduar, është një kontratë e lidhur, jemi në fazën e mobilimin e kantierit për të nisur direkt punimet”.
Ndërsa për aksin Thumanë-Kashar i cili është një segment i përfunduar, zv.kryeministrja u shpreh se nga 30 Qershori e deri më sot kanë kaluar 6.5 milionë automjete.
Balluku njoftoi gjithashtu se në dy vitet e ardhshme pritet të përfundojnë projektet Thumanë-Milot dhe Milot-Balldren, duke e konsideruar këtë një transformim radikal të infrastrukturës shqiptare.