Balluku: Shqipëria në podium në Europë, për energjinë e rinovueshme

Raporti i Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian (EUROSTAT) rendit të tretën Shqipërinë, pas Suedisë dhe Finlandës për konsumin e energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme duke lënë pas të gjitha vendet e tjera të BE.

Në raport evidentohet se konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme për vitin 2022 në Shqipëri rezultoi në 44%.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi këtë një tregues i shkëlqyer për strategjinë e ndjekur deri më tani dhe një udhërrëfyes i qartë për rrugën në vijim

“Shqipëria në podium, në Europë për energjinë e rinovueshme. Kemi kaluar objektivat europiane, duke u renditur kështu ndër vendet e para. Një tregues i shkëlqyer për strategjinë e ndjekur deri më tani dhe një udhërrëfyes i qartë për rrugën në vijim”, deklaroi ajo në një postim në rrjetet sociale.

Indikatori i referohet raportit të konsumit të energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme, kundrejt konsumit total të energjisë (energjia elektrike, karburantet, etj).

Përdorimi i energjisë së rinovueshme ka shumë përfitime, duke përfshirë një reduktim të emetimeve të gazeve serrë, diversifikimin e furnizimeve me energji dhe një reduktim të varësisë nga tregjet e karburanteve fosile (nafta dhe gazi).

Rritja e burimeve të rinovueshme të energjisë mund të stimulojë gjithashtu punësimin në BE, përmes krijimit të vendeve të punës në teknologjitë e reja “të gjelbra”.

Burimet e rinovueshme të energjisë përfshijnë energjinë e erës, energjinë diellore (termike, fotovoltaike dhe të përqendruar), energjinë hidrike, energjinë baticore, energjinë gjeotermale, nxehtësinë e ambientit të kapur nga pompat e nxehtësisë, biokarburantet dhe pjesën e rinovueshme të mbetjeve.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com