Vonesat kohore për realizimin e projekteve infrastrukturore te financuara nga Bashkimi Europian, po e shqetësojnë Shqipërinë. Këtë qëndrim, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e paraqiti gjatë takimit të zhvilluar në Budapest mes ministrave të Transportit të vendeve të BE-së.
“Tjetër ajo për të cilën ne shqetësohemi dhe këtu i referohem të gjithë vendeve tona fqinje, është koha e gjatë dhe burokracia që merr një projekt për t’u realizuar.”
Balluku thekson se qëndrimi i saj gjeti përkrahje në këtë takim.
“Jam ndjerë, për të thënë të drejtën shumë mirë për faktin se Zëvendëskryeministri Salvini ka mbështetur gjithashtu këtë tezë që vendet e Bashkimit Europian duhet të kenë një fokus të veçantë në zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor.”
Numri 2 i qeverisë bëri të ditur se në këtë samit me ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu kanë diskutuar edhe per për ecurinë e një nga projekteve të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të 10, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës.