Balla, takim me zyrtarin e lartë amerikan! Po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë. Prioritet, goditjet kundër grupeve kriminale

Për ministrin e Brendshëm, Taulant Balla prioritet është goditja e grupeve kriminale dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Këto deklarata u bën gjatë një takimi që Balla zhvilloi me Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Gjatë takimit, Balla falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, INL, ICITAP dhe DEA.

“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë.

Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Gjithashtu ai konfirmoi se do të vijohen përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, me kontributin e institucioneve të drejtësisë, organeve ligjzbatuese dhe shoqërisë civile./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com