Balla takim me Presidentin e EUROJUST: Koha e pandëshkueshmërisë do të marrë fund

Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë qëndrimit në Hagë zhvilloi një takim me Presidentin e EUROJUST Ladislav Hamran, me të cilin diskutoi çështjet e bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër krimit, trafikut të narkotikëve dhe sidomos kapjes së personave në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Ministri Balla deklaroi se koha e pandëshkueshmërisë do të marrë fund, pavarësisht se ku veprojnë apo fshihen personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare. Në takim u vlerësua niveli i bashkëpunimit në kuadër të skuadrave hetimore të përbashkëta, një punë që ka shënuar rezultatet më të mira ndër vendet jo-anëtare të BE-së.

Në një postim në rrjete sociale, Ministri Balla thekson se “Shqipëria ka rezultatet më të mira ndër vendet jo anëtare të Bashkimit Europian por edhe në krahasim më vendet e BE-së gjatë vitit 2023, referuar skuadrave të përbashkëta hetimore të reja. Kishim 6 skuadra gjatë vitit 2023 dhe 12 të tjera në vijim gjatë 2024 dhe jemi në proces nënshkrimi një JIT me Ekuadorin ku si shtet drejtues është Italia”.

Ministri tha më tej se Policia e Shtetit ka qenë pjesëmarrëse e të gjitha skuadrave të përbashkëta hetimore me këtë institucion të BE.

“Koha e pandëshkueshmërisë do të marrë fund, pavarësisht se ku veprojnë apo fshihen personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare. Pjesa më e madhe e skuadrave të përbashkëta hetimore po hetojnë trafikimin e lëndëve narkotike, krimin kibernetik, trafikimin e qenieve njerëzore dhe terrorizimin. Pjesë e të gjithë skuadrave hetimore është edhe Policia e Shtetit”, nënvizoi ministri Balla.

EUROJUST është agjencia ligjzbatuese e BE për bashkëpunimin në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com