Balla për hetimin ndaj Sali Berishës: Ky është vetëm fillimi, shumë nuk më besuan për “Partizanin”

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se shumë nuk e kanë besuar në lidhje me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani, për të cilën SPAK ka vënë nën hetim për korrupsion, ish kryeministrin Sali Berisha.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Balla u shpreh se PS ka mbështetur një reformë drejtësie që të garantonte goditje korrupsioni edhe majtas edhe djathtas.

Sipas Ballës, ky është vetëm fillimi, prandaj duhet që çdo person ndaj të cilit ngrihet një akuzë, të heqë dorë nga një sjellje banale e sulmit kundër institucioneve të drejtësisë.

“Në aspektin profesional nuk më lejohet të flas për këtë çështje sa kohë që unë kam folur, 11 vite me radhë për atë çështje. Të shumtë ishin ata që nuk më besuan dhe më është dashur ta bëj 3 apo 4 herë kallëzimin duke pasuruar me informacione dhe le të jetë prokuroria e gjykata ata që duhet të flasin. Por një gjë ua them çdo qytetari, PS ka mbështetur një reformë drejtësie që të garantonte goditje korrupsioni edhe majtas edhe djathtas, dhe e vërteta është që falë kësaj reforme ne sot jemi në kushtet që persona që deri para pak ditësh konsideroheshin të paprekshëm nga drejtësia sot janë nën akuzë.

Ky është vetëm fillimi, prandaj duhet që çdo person ndaj të cilit ngrihet një akuzë të heqë dorë nga një sjellje banale e sulmit kundër institucioneve të drejtësisë. Kjo drejtësi e re që ka lindur plotësisht mbi ato gërmadha të drejtësisë së vjetër, duhet të ketë besimin e të gjithëve dhe prandaj PS ka vendosur një standard të pakundërshtueshëm. Më gjeni një rast të një sulmi të ndonjë përfaqësuesi të PS kundër institucioneve të reja të drejtësisë. Për të mos bërë më pas krahasimin me qasjen që kanë sot individë të caktuar që sulmojnë institucionet e drejtësisë. Është e rëndësishme të kuptojmë që jo vetëm rasti i kompleksit Partizani, por plot dosje të tjera të vjetra, shpresoj dhe besoj që edhe ato do të jenë, sikurse edhe ngjarje për të cilat për mua ka një ngarkesë të veçantë, dhe vrasjet e 21 janarit është një ngjarje që bën pjesë në detyrat e shtëpisë së drejtësisë së re për t’i dhënë një përgjigje. Ajo që ka shumë rëndësi që qytetarët sot të kuptojnë, është që askush nuk është më mbi ligjin. Kjo është ajo që Shqipëria meriton në këtë moment historik ku ndodhet. Mirëpriti samitin e Berlinit, Presidentin Macron, sot Shqipëria është Europa e Ballkanit”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com