Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar se nga 1 korriku, rriten pagat e policëve. Në fjalën e tij në ceremoninë e certifikimit të kursantëve që kanë përfunduar me sukses kursin e 18-të për “Patrullë e Përgjithshme”, ceremoninë e fillimit të studimeve të kursantëve të rinj në Kolegjin Profesional të Formimit Policor dhe të fillimit të kursit për “Specialist për Hetimin e Krimeve”, për studentët që kanë mbaruar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, Balla u shpreh se rritja e sigurisë në shkolla, goditja e shpërndarësve të lëndëve narkotike, goditja e fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe vetëpastrimi i policisë, mbetet synim kryesor.
“E sotmja është ditë e rëndësishme në përballjen për ta rinuar policinë e shtetit. Kapitull i ri në përpjekjet e Akademisë së Policisë për të shërbyer si gjenerator i ri energjie për strukturën e policisë së shtetit.
Synimi ynë të vendosim Policinë e shtetit në krye të institucioneve më të besueshme.
Rritja e sigurisë në shkolla, goditja e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe goditja e armëmbajtjes pa leje, synimi ynë”, tha Balla.
Ministri u shpreh se forca policore duhet të jetë inovatore për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer qytetarëve.
Ai bëri me dije se nga 1 korriku qeveria do përmbushë angazhimin për rritjen e pagave.
“Kemi nisur sot një rrugëtim të gjatë, por që do iu nderojë. Jemi në një fazë të rëndësishme të vetëpastrimit të policisë, për të pasur profesionistë dhe njerëz me integritet.
Forca jonë policore duhet të jetë inovatorë për të mbrojtur dhe shërbyer publikut.
Vetëpastrimit, investimet në teknologji, angazhimi i qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave duke filluar nga 1 korriku janë hapa të rëndësishëm për të patur një shërbim policor të duhur për Shqipërinë, kampione e Ballkanit në shumë plane. Do vijojmë me zbatimin e programit për strehimin e punonjësve të policisë.
Nga nesër secili prej jush do i duhet të marrë vendime të vështira. Detyra e policimit është përgjegjësi, dhe do duhet ta zbatoni sipas parashikimeve të ligjit. Detyra do jetë shpeshherë sfiduese fizikisht dhe psikologjikisht.
Mos harroni se uniforma që mbani nuk përfaqëson vetëm organizatën e policisë, ajo është simbol i besimit që shteti dhe publiku ka vendosur te ju. Nga nesër secili prej jush përfaqëson Policinë e Shtetit”, u shpreh Balla.
/a.r