Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, ku në fokus të takimeve ka qenë pikërisht rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe policisë për luftimin e krimit të organizuar.
Balla tha se mes dy vendeve është dakordësuar ngritja e një Task-Force mes dy ministrive të Brendshme në fushën e policisë.
Ministri u prit në takim nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, ndërsa zhvilloi takime edhe me homologun e tij dhe të tjerë zyrtarë të Emirateve të Bashkuara.
“Shumë i nderuar nga miqësia dhe mikpritja në mexhlisin Qasr Al Bah nga Lartësia e Tij Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilit i përcolla përshëndetjet e Kryeministrit Edi Rama dhe urimet për prosperitet të vazhdueshëm të Emirateve dhe të popullit të vet. Lartësia e Tij Presidenti i EBA shprehu përshëndetjet e tij më të mira për Kryeministrin dhe urimet për vendin e popullin tonë për të vijuar progresin. Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë.
Mundësitë për të përfituar nga ekspertiza dhe eksperienca e EBA në këto fusha u diskutuan në kuadër të Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe EBA, si dhe të Task-Forcës së Bashkëpunimit të dakordësuar mes dy ministrave të brendshëm. Të pranishëm në mexhlis ishin edhe Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës Abu Dhabi; Sheikh Suroor bin Mohammed Al Nahyan; Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan, Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, Ministër i Punëve të Jashtme”, shkruan Balla.
/a.r