Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë aktivitetit të zhvilluar me rastin e 111 vjetorit të krijimi të Policisë së Shetit, e ka cilësuar vitin 2023, si viti me nivelin më të lartë të sigurisë publike në dekada.
Sipas tij, ky rezultat duhet të jetë një motivim për të thelluar rezultatin, ndërsa shtoi se qeveria do të vazhdojë të mbështes punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu siç ka bërë me kreditë me interes 0 për banesat e reja, apo rritjen e pagave…etj
“Gëzuar ditëlindjen e 111, një numër i veçantë me tre njisha, që duhet të na shërbejë të gjithëve si një motivim më shumë për ta çuar Policinë e Shetit aty ku i takon, si institucion i parë dhe më i besuar në radhën e të gjitha institucioneve të tjera”, tha Balla.
“Si sot, 111 vite më parë, qeveria e Ismail Qemalit, vendosi të krijonte forcën e rendit, në shtetin e ri e të pavarur Shqiptarë. Dhe nuk është rastësi, por është gjithnjë diçka e bukur, që drejtori i parë në krye të Policisë së Shetit ishte një patriot, atdhetar nga Gjakova, Halim Gostivari. Një figurë patriotike, e vlerësuar për kontributet e tij në shërbimet policore dhe më shumë se kaq. Sot është dita të përkujtojmë këtë ditë të veçantë, por duke e nisur nga ata qindra punonjës të forcave të rendit publik, të cilët ndër vite, që nga 1913, e kanë mbrojtur me jetë e për të cilët ne, nuk duhet të rreshtim për asnjë moment duke i nderuar dhe duke i çuar përpara amanetin e tyre në shërbim të rendit dhe të atdheut. Qoftë i përjetshëm kujtimi i dëshmorëvë të atdheut në radhët e Policisë së Shtetit”, tha Balla.
Ministri i Brendshëm garantoi vijimin e politikave mbështetëse për punonjësit e Policisë së Shtetit, për t’i motivuar në detyrën e tyre.
“Kreditë e para pa interes për banesa, i kanë marë 94 punonjës të Policisë së Shtetit. Do të vazhdojnë gjatë 2024 edhe për të paktën 300 punonjës të Policisë së Shtetit dhe për të vazhduar dhe më shumë në vitin 2025, për të zgjidhur një prej problemeve më akute të Punonjësve të Policisë së Shtetit”, tha Balla.
“Po vlersojmë se sa do jetë dhe rritja e pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu si edhe për sektorët e tjerë, Forcat e Armatosura, Shëndetësia, apo Administrata. Kërkesa ime është që në këtë rritje historike pagash për sektorin publik, që do të realizohet më 1 korrik, Policisë së Shtetit të jetë më e vlerësuara për shkak të nevojës për të dinamizuar edhe më shumë punën e Policisë së Shtetit”, tha Balla.
“Mund ta them që viti 2023 ishte viti me nivelin më të lartë të sigurisë publike në shumë dekada. Këtë arritje, nuk duhet të jemi ne që duhet ta promovojmë, por detyra jonë është të thellojmë rezultatet e arritura deri më tani”, nënvizoi Ministri i Brendshëm.
Në fjalën e tij, Balla foli edhe për inovacionin, që do të jetë pjesë dhe instrument në dobi të Policisë së Shtetit.
/a.r