Balla: Ndalimi i rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç më duket një ide e mirë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbështet idenë e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën 16-vjeç. Nga Durrësi Balla tha se ndalimi i përdorimit të tyre nga moshat 16-vjeç e poshtë, siç ka bërë së fundmi shteti i Floridas në SHBA, është një ide e mirë.

“Edhe kjo ngjarje ka qenë pjesë e analizës tonë. Në rastin në fjalë policia e ka bërë referimin. Bën pjesë në prioritetet e mia sa i përket mbrojtjes së jetës private, mbrojtjes së fëmijëve nga bullizmi. Jam njohur sot me një iniciativë të marrë nga Florida për të vënë kufizime, për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Mendoj që është një ide e mirë. Qytetarët të referojnë çdo problem me rrjetet sociale në polici. Në Durrës ne kemi një seksion të posaçëm”, tha Balla.

Në analizën vjetore të policisë së Durrësit ka folur për rezultatet e arritura në 2023 dhe për sfidat në vijim.

“Drejtoria e Durrësit dhe ajo e kufirit janë të rëndësishme. Gjatë 2023 kemi pasur rezultate të mira kryesisht në parandalimin e ngjarjeve kriminale por mos harroni se kemi pasur edhe ngjarje kriminale njëra prej të cilave është në punë e sipër duke u hetuar nga policia dhe shpresoj që të shkojmë drejt rezultateve për të vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës. Duhet të kuptojmë që Durrësi është kryeqendër edhe e turizmit dhe vëmendja jonë është shumë e madhe. Po planifikojmë që përgjatë sezonit të ri turistik të kemi edhe mbështetjen e forcës kombëtare të sigurisë për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm.

Qarkullimi rrugor mbetet një nga sfidat tonë, shqetësimi im mbetet adresimi i shkeljeve rrugore. U bëj thirrje përdoruesve të rrugës, të reflektojnë për një respektim dhe më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor. Edhe këmbësorët duhet të reflektojnë për një respektim më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor. Procesi i vetëpastrimit të policisë së shtetit ka qenë pjesë e diskutimit tonë. Besoj se kam qenë i qartë me të gjithë që në punë  e tyre duhet të orientohen vetëm nga ligji”./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com