Policia e Tiranës ka sekuestruar disa kamera sigurie mes të cilave dhe atë të një pike karburanti në afërsi të zonës së Selitës lidhur me atentatin e dështuar ndaj Zamir Kalemit pak ditë më parë. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se atentatorët kanë ndaluar në afërsi të zonës ku dyshohet se kanë pritur dhe mjetin e Kalemit në mënyrë që të kryenin atentatin.
Për grupin hetimor pamjet e përftuara tregojnë se si mjeti tip Smart i Kalemit kalon dhe pas tij është makina e autorëve tip Nissan, e cila ka rezultuar e vjedhur në Greqi ndërsa targat e saj në Shqipëri.
Gjithashtu hetuesit pasi morën në pyetje 40-vjecarin kanë arritur të detajojnë dhe lëvizjet e tij përgjatë disa ditëve në mënyrë që të kenë mundësi të sekuestrojnë pamje të tjera filmike të bizneseve që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Zamiri është vëllai i Andrea Kalemit, i dyshuar si autori i vrasjes së Edmond Papës, një vit më parë në Selitë. Të dy ata janë kushërinj të Aleksandër Sadikajt, i cili u vra nëpërmjet një shpërthimi të telekomanduar të automjetit të tij në qershor të vitit 2022 ngjarje kjo që mbetet ende e pazbardhur.
Fill pas ekzekutimit të Sadikajt 6 muaj më vonë po në Tiranë në zonën e Selitës u vra biznesmeni Edmond Papa. Për ngjarjen në pranga është Albano Velo dhe në kërkim Andrea Bode, të dy miq të vëllezërve Kalemi.
Për këtë policia dyshon se vrasja e Papës ishte hakmarrje e Sancos siç e njihnin Aleksandër Sadikajn. Edhe pse dyshimet kryesore janë tek hakmarrja deri më tani policia ka vetëm automjetin Nissan të djegur të autorëve si dhe kallashin që u gjuajt në drejtim të Kalemit. Ndonëse ndaj tij u derdh breshëri prej 15 plumbash vetëm 4 prej tyre e plagosën në krah dhe këmbë.
/f.s