Detaje të reja janë zbuluar lidhur me atentatin në Selitë të kryer pak ditë më parë, ku mbeti i plagosur 41-vjeçari Zamir Kalemi. Gazetarja e RTSH Flutura Tota zbulon se shënjestra është ruajtur gjatë gjithë ditës dhe janë monitoruar lëvizjet e tij nga një makinë tjetër, që sipas hetuesve, është edhe e njëjta makinë që largoi më pas autorët e atentatit pasi dogjën makinën e tyre në Bërzhitë.
Automjeti i dytë ka ndjekur të gjitha lëvizjet e Zamir Kalemit, ku hetuesit kanë “zbërthyer” kamerat e sigurisë dhe tashmë njohin edhe itinerarin e lëvizjes së mjetit. Pikërisht ky itinerar do t’i shërbejë policisë për të bërë gjurmimin e saj.
Autorët e atentatit kanë qenë 4, prej të cilëve 3 në makinën “Nissan” që u dogj më pas në Bërzhitë dhe një person tjetër që i ka pritur me makinë për t’i larguar.
Makina që ka ruajtur lëvizjet e 41-vjeçarit është parë në një karburant brenda Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa hetuesit po kontrollojnë edhe pamjet e kamerave të ditëve para atentatit për të parë nëse Kalemi është ruajtur dhe monitoruar edhe më përpara.
Vetë shënjestra duket se po e bën edhe më të vështira zbardhjen e atentatit ndaj tij, pasi nuk po bashkëpunon me hetuesit duke mos dhënë informacione apo detaje të vlefshme.
Çdo fytyrë e dyshimtë që shfaqet më pamjet e kamerave pritet t’i tregohet Kalemit për të parë nëse e ka vëzhguar apo ndjekur në ditët e fundit, por 41-vjeçari nuk po tregohet bashkëpunues me hetuesit. Të vetmet deklarime të tij në polici kanë qenë lëvizjet që ka kryer ditën e atentatit.
Atentati në Selitë ndodhi më 13 janar në zonën e Selitës në Tiranë. 41-vjeçari po udhëtonte me mjetin e tij tip “Smart” kur është qëlluar me armë zjarri nga një distancë e shkurtër.
Zamir Kalemi është vëllai i Andrea Kalimit dhe kushëriri i Aleksandër Sadikajt. Vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022-it, ndërsa Sadikaj i cili mbeti i vrarë në qershor të po atij viti ishte kushëriri i vëllezërve Kalemi.
Për zbardhjen e rastit Policia e Shtetit ka ofruar një shumë prej 15 mijë eurosh për cilindo person që jep informacion për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
/a.r