Gjovalin Prendi, u ekzekutua në verandën e lokalit që kishte në pronësi të tij, në Pllanë të Lezhës, sapo doli të shkruante një mesazh në telefonin e tij.
Ndërkohë në tavolinën ku ishte ulur Gjovalin Prendi ndodheshin 5 persona të tjerë, mes tyre dhe bashkëshortja e 64-vjeçarit. Kjo e fundit por edhe dëshmitarët e tjerë, nuk kanë mundur të shikojnë se kush janë autorët për shkak se jashtë ishte errësirë.
Nga dinamika e ngjarjes, rezulton se në atentat kanë marrë pjesë 3 autorë, dy në rolin e ekzekutorëve që kanë zbritur nga makina dhe janë afruar rreth 20 metra Gjovalin Prendit ndërsa një person i tretë ka qenë në rolin e shoferit.
Ndërkohë nga hetimet ka rezultuar se makina tip “Porsche” e autorëve të vrasjes së Gjovalin Prendit, e cila u gjet e djegur në fshatin Gjormë të Kurbinit, ka rezultuar e vjedhur në Peqin më 13 mars të këtij viti.
Policia dhe Prokuroria e Lezhës, si pistë kryesore vijojnë të kenë atë të hakmarrjes. Gjovalin Prendi, ishte babai i Sidorel Prendit i ekzekutuar në 9 maj të 2024 në Athinë të Greqisë. I njohur ndryshe dhe me emrin Roan Brahimi, ishte një prej armiqve të Ervis Martinajt, por emri i tij është lakuar në disa ngjarje kriminale.