Artistë, muzikantë dhe mësues, ja kush janë të burgosurit amerikanë që mbetën në Rusi

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia realizuan këmbimin më të madh të burgosurve në periudhën post-sovjetike, një marrëveshje që përfshiu lirimin e 24 të burgosurve, pas negociatave që zgjatën me muaj dhe lëshimeve të vendeve evropiane, të cilat liruan individë që i mbanin nëpër burgjet e tyre si pjesë të këtij këmbimi.

Ndonëse marrëveshja e së enjtes përfshin amerikanët më të njohur që u mbajtën në Rusi, përfshirë dy nga të cilët u konsideruan zyrtarisht si të burgosur padrejtësisht, janë edhe disa amerikanë të tjerë që mbeten në Rusi.

Mes tyre janë artisti i muzikës rock, Travis Leake, i dënuar nën akuza droge, që po vuan burg; ushtari amerikan Gordon Black, i shpallur fajtor për vjedhje dhe për kërcënim për vrasje; Marc Fogel, mësues që po vuan dënim nën akuza droge dhe Ksenia Khavana, e cila u arrestua në Yekaterinburg në muajin shkurt për tradhti, nën akuzat se ka mbledhur fonde për ushtrinë e Ukrainës.

Khavana u kthye në Rusi për të vizituar familjen. Pronari i një salloni bukurie në Kaliforni ku Khavana ka punuar në të kaluarën, i tha agjencisë Associated Press se Khavana në fakt po grumbullonte fonde për ndihma humanitare.

Në një deklaratë shtypi pas shpalljes së marrëveshjes, familja e Fogelit tha se është “e pakuptimtë” që ai nuk është përfshirë në marrëveshje dhe i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden ta bëjnë përparësi lirimin e tij, raporton zëriamerikës.

Një zyrtar i lartë i administratës, i cili foli me gazetarët para këmbimit me kusht të mos identifikohet sipas rregullave të Shtëpisë së Bardhë, tha se administrata do të dyfishojë përpjekjet për t’i kthyer të gjithë amerikanët në shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com