Artan Hoxha i bën “gol” FSHF-së/ Gjykata vendos për pafajësinë e gazetarit që u akuzua për shpifje

Sot gazetari investigativ Artan Hoxha u deklarua i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës në një çështje të nisur nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila e akuzoi gazetarin për shpifje. Gazetari Hoxha kishte bërë disa publikime në rrjetet sociale ku kritikonte ashpër Presidentin afatgjatë të FSHF-së lidhur me menaxhimin e federatës, fondeve, organizimit të disa ndeshjeve miqësore që dukej se nuk ishin në interes të kombëtares shqiptare të fubollit, por më shumë për interesa financiare. Këto shkrime të publikuara në kohë të ndryshme shoqëroheshin shpeshherë me gjuhë të ashpër, kritike e thumbuese. Kjo provokoi që FSHF të niste një çështje penale ndaj gazetarit për shpifje.

Vlen të theksojmë se në rastin e gjyqeve për shifje janë dy të drejta që përplasen: liria e shprehjes nga njëra anë dhe e drejta për të mbrojtur reputacion e të prekurit, nga ana tjetër. Lidhur me këtë, avokati Dorian Matlija nga qendra “Res Publica”, me mbështetjen jetike nga National Endowment for Democracy, solli dy argumenta kryesorë përpara gjykatës:

Së pari, thëniet e gazetarit Artan Hoxha nuk përmbanin kumtimin e ndonjë fakti të pavërtetë, por ishin opinione të bazuara mbi fakte që kanë ndodhur. Gazetari nuk kishte pse të provonte opinionet vetjake, nëse provonte që kishte një bazë faktike të mjaftueshme. Gjithashtu, gjuha e përdorur nga gazetari ishte për qëllime stilistike, për të paraqitur kritika për një aspekt me interes publik siç është mbarëvajtja e sportit të futbollit dhe përfaqësueses kombëtare shqiptare.

Së dyti, e drejta për të mbrojtur reputacionin është vërtet një interes i ligjshëm për të kufizuar lirinë e shprehjes, por kjo vlen për individët dhe personat juridikë privatë, të cilët për shkak të konkurencës mund të pësojnë rënie të pozitës ekonomike apo sociale, duke humbur të ardhura apo edhe kapital financiar ose social. Ndërsa organet shtetërore dhe entet publike nuk janë në konkurim me askënd, dhe për pasojë mbrojtja e reputacionit të tyre nuk është një qëllim legjitim për të kufizuar lirinë e shprehjes së gazetarëve apo qytetarëve në përgjithësi. Avokati Matlija argumentoi se FSHF, pavarësisht se në dukje është një organizatë “private”, ajo ka atributet e një enti publik sepse sipas ligjit për sportin ajo është një federatë ekskluzive, e vetmja që merret me sportin e futbollit, të cilës shteti i ka deleguar funksionin shtetëror të shërbimeve për sportin e fubollit. Për sa kohë që FSHF ushtron një funksion të deleguar nga shteti dhe në kushte ekskluzive, asaj nuk mundet t’i cenohet reputacioni në atë lloj mase që të legjitimojë ngritjen e një padie për shpifje. FSHF duhet të pranojë kritikat që i bëhen, qoftë edhe me gjuhë thumbuese.

Ky ishte thelbi i diskutimeve në gjyqin që zhvillohej kundër gazetarit Artan Hoxha, i cili sot përfundoi me një vendim pafajësie për gazetarin. Një nga risitë e këtij gjyqi ishte orientimi i gjykatës drejt një çështjeje të kohëve të fundit të Gjykatës së Strasburgut, Maria Somogyi kundër Hungarisë me vendim të dt. 16 maj 2024, çështje e cila ndodhi të zhvillohej paralelisht gjatë kohës që në Gjykatën e Tiranës zhvillohej çështja në fjalë e FSHF kundër gazetarit Artan Hoxha. Është vërtet për t’u përshëndetur prirja e gjyqtarit Sokol Pasho për të adoptuar qëndrimin në përputhje me jurisprudencën e Strasburgut, sapo ajo gjykatë udhëzoi shtetet anëtare të Këshillit të Evropës me këtë koncept të ri që ka të bëjë me mënyrën se si duhet të trajtohet reputacioni i organeve shtetërore, enteve publike dhe çdo enti tjetër që ushtron funksione të deleguara shtetërore. Në këtë kuptim, goli i gazetarit Artan Hoxha ndaj FSHF-së ka rëndësi strategjike për raste të tjera në të ardhmen, duke pasuruar jurisprudencën.

Res Publica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com