Tre të rinj janë vënë në pranga nga policia në Tiranë. Ata dyshohet se janë autorët e vjedhjes me dhunë të disa personave në kryeqytet. Dy prej të arrestuarve janë të mitur, nga 17 vjeç, ndërsa tjetri, 19 vjeç.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, Nr. 1, Nr. 3, dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacioneve të marra se në zona të ndryshme të Tiras, tre shtetas kishin kryer tre vjedhje me dhunë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe si rezultat kanë vënë në pranga shtetasin E. Sh., 19 vjeç, si dhe dy të mitur të moshës 17 vjeç, të tre banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, iu kanë vjedhur me dhunë, disa shtetasve, shuma të ndryshme parash. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit janë autorë të dyshuar të 4 vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit, në disa lagje të Tiranës”, njoftoi policia.
Gjatë kontrollit të banesës së njërit prej 17-vjeçarëve, shërbimet e Policisë, gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e të tjera vjedhjeve që mund të kenë kryer këta të rinj.
/a.r