Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë në lidhje me padinë e 1/5 së deputetëve të cilët kërkonin ta shpallnin të paligjshëm arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas argumentit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se 1/5 e deputetëve të rithemelimit megjithëse janë pjesë e pushtetit ligjvënës nuk mund të veprojë në emër dhe kompetencat e Kuvendit.
Mbledhja e gjyqtarëve vlerësoi se kjo padi për shkak të mosplotësimit të kushteve nuk mund të merret në shqyrtim.
“Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme, në kundërshtim me Kushtetutën, e kanë konsideruar veten kompetente për të vendosur nëse duhet pyetur ose jo Kuvendi paraprakisht përpara vendosjes së masave shtrënguese që kufizojnë lirinë e deputetit, duke vendosur me vullnetin e tyre mosdërgimin e kërkesës në Kuvend. Për rrjedhojë, vendimmarrjet e tyre, për sa i takon refuzimit për t’iu drejtuar me kërkesë për lejimin e vendosjes së masave të sigurimit personal ndaj deputetit të Kuvendit, nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën Pavarësisht se kërkuesi, grupi jo më pak se një e pesta e deputetëve, është pjesë e pushtetit ligjvënës, kjo nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës (Kuvendi).
Ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit dhe as të barazohet me të, për këtë arsye kërkuesi, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet organeve kushtetuese, Kuvendit, nga njëra anë, dhe Prokurorisë së Posaçme e Gjykatës së Posaçme, nga ana tjetër. Për rrjedhojë, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se antikushtetutshmëria e vendimeve gjyqësore që pretendohet se përbën shkakun e lindjes së konfliktit të kompetencave, nuk mund të merret në shqyrtim.
Për më tepër, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se vendimet gjyqësore të kundërshtuara, duke qenë se i drejtohen një deputeti konkret janë ngushtësisht personale, për rrjedhojë kundërshtimi i tyre eventualisht edhe pranë Gjykatës, pas shterimit të mjeteve të zakonshme të ankimit, është në të drejtën e atij individi interesat e të cilit cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë se deputeti, në cilësinë e individit, gëzon të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar kësaj Gjykate kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave”, njofton Gjykata Kushtetuese./m.j