Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me arrestimin në Spanjë të Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës së Durrësit. Përmes një postimi në rrjete sociale Balla përgëzon policinë e Shtetit dhe homologët spanjollë dhe thekson se “pandëshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujdo sado që të fshihet”.
“Sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet. Përgëzoj Policinë e Shtetit, ekipin e Fast Tirana të cilët në bashkëpunim me Fast Madrid, të kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Lulzim Berisha në Alicante, Spanjë, një person i kërkuar nga drejtësia në Shqipëri”, tha në reagimin e tij ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Ish-kreu i Bandës së Durrësit Lulzim Berisha u arrestua sot, në kuadër të operacionit të përbashkët “Sant Joan” mes policisë shqiptare dhe asaj spanjolle.
Autoritetet shqiptare do kërkojnë ekstradimin e tij.
Ai u arrestua falë operacionit policor të koduar “Sant Joan”. Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimiet të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshëmri të lartë shoqërore Lulzim Berisha. Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese, në 27 maj 2022, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 7 dhjetor 2021, e cila ka vendosur për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ai u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit. Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës, kryesohej nga Arben Vrioni, me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin. Në vitin 2020 Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, për krime të tjera të rënda, të ndodhura 17 vite më parë, por të zbardhura vetëm tre vite më parë.
Lulzim Berisha u arrestua në 6 prill 2006. Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999. Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli. Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Vendimi i lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku i asaj kohe Vangjush Dako. I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg.