Ekipi i Telegram-it ka reaguar të dielën në mbrëmje për arrestimin e themeluesit të kësaj platforme, Pavel Durov në Francë.
“Telegram funksionon në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë Aktin e Shërbimeve Digjitale – moderimi i tij është në përputhje me standardet e industrisë dhe po përmirësohet vazhdimisht. CEO i Telegram Pavel Durov nuk ka asgjë për të fshehur dhe udhëton shpesh nëpër Evropë. Është absurde të pretendosh se platforma apo pronari i saj është përgjegjës për funksionimin abuziv,” thuhet në njoftimin përkatës.
Ekipi i platformës shtoi se presin që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt. Të shtunën mbrëma, mediat franceze raportuan se themeluesi i Telegram u arrestua në aeroportin Le Bourget .
Arrestimi u bë teksa ai po zbriste nga një avion privat, pasi kishte mbërritur, me shumë gjasa, nga Azerbajxhani.
Sipas mediave lokale, Durov , i cili ka nënshtetësi franceze, ishte në listën e të kërkuarve të vendit për një sërë veprash që lidhen me funksionimin e Telegram.
/a.r