Arrestimi i gazetares italiane në Iran, flet nëna e saj: Kam besim tek qeveria e Melonit

Nëna e gazetares italiane, Cecilia Sala, e cila u arrestua në Teheran më 19 Dhjetor ka folur për gazetarët pas një takimi me Kryeministren, Giorgia Meloni. Ajo është shprehur se ka besim tek autoritetet italiane dhe se do të punohet për lirimin e saj.

Takimi mes nënës së gazetares italiane dhe Giorgia Melonit vjen pasi Ministria e Jashtme thirri të enjten ambasadorin iranian për t’i kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares.

Mediat italiane njoftojnë se gazetarja Sala po mbahet e izoluar në një qeli të ftohtë burgu me një dritë fluroshente që mbahet e ndezur ditën dhe natën. Syzet e saj janë sekuestruar dhe ajo pothuajse nuk ka asnjë kontakt me botën e jashtme.

Gazetarja Sala u ndalua tri ditë pasi sipërmarrësi iranian, Mohammad Abedini u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një urdhër-arresti amerikan nën pretendimet se ai është furnizuesi i pjesëve të dronëve, të cilët Uashingtoni thotë se janë përdorur në sulmin e vitit 2023 që shkaktoi vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani.

Irani ka mohuar përfshirjen në atë sulm dhe Ministria e Jashtme Iraniane u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se arrestimi i sipërmarrësit Abedini shkel ligjin ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com