Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje mbi arrestimin e Denis Brajoviç alias Bajri në Dubai, i cili ishte shpallur në kërkim në megaoperacionin “Metamorfoza” për ekzekutimin e Gjin Boriçit në Vau Dejës më 9 gusht 2020.
Në Top Talk, gazetari tha se ai është arrestuar në Dubai bashkë me dy persona të tjerë, por pritet të dalë shumë shpejt sipas rregullave atje. Ai tha se Shqipëria e ka të vështirë të marrë të shumëkërkuarit që ndodhen në Dubari, pavarësisht përpjekjeve për marrëveshje.
“Emri i vërtetë është Denis Vaso. Djali ish-futbolistit të famshëm të Vllanisës dhe Kombëtares Millan Vaso, një futbollist shumë i mirë prandaj si gazetar sporti e mbaj mend. Më mbrapa e ka bërë mbiemrin Brajoviç. Është shpallur në kërkim nga operacioni ‘Metamorfoza’. Është kapur në zonën e Xhamllikut nga Renea bashkë me Safet Bajrin. Njeriu më besnik i Behaj Bajrit, si njeriu që ka kryer ekzekutimin e Gjin Ndojit dhe nga ai moment është shpallur në kërkim.
Një pjesë të kohës ishte në Shqipëri, pastaj është larguar nga vendi, është ndaluar nga bashkëpunimi me Interpol Abu Dabin. Gjatë operacionit për kapjen e Denisit janë kapur edhe dy shtetas të tjerë, njëri nga Dibra, njëri nga Lezha. Personi i kërkuar nga SPAK me vendim të Gjykatës Speciale është i arrestuar, po Shqipëria nuk ka ekstraduar asnjë nga Emiratet Arabe. Do mbahet aty, do dalë në gjykatë. Ka pasur raste që dalin edhe për 40 ditë. Në rastin konkret Denisi ka për të qëndruar derisa Gjykata të vendosë që ky lirohet nga burgu, do jetë gjithmonë në mbikëqyrje. Tentativa që po bën Shqipëria është përpjekje, por asnjë vend i botës nuk ka marrëveshje ekstradimi, prandaj është kthyer në parajsë penale dhe fiskale. Shqiptarët janë vetëm sa një pikë uji atje. Nuk kam parë ndonjë bos të krimit kolumbian të dalë në TikTok”-tha Hoxha në Top Talk./m.j