Gjykata e Posaçme ka zbardhur sot vendimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Mësohet se janë kontaktuar avokatët e tij për ta tërhequr dhe raporti pritet që t’i përcillet më pas Berishës.
Në çështjen konkrete objekt shqyrtimi, rezulton se shtetasi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të qëllimshme, nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.
Pretendimet e shtetasit nën hetim Sali Berisha lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre, e cila eventualisht ka formuar mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, por në çdo rast, bazuar në rregullat e normuara të procedurës penale, ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë.
Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës.
Pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë.
/f.s