Rrëzohet pista se arma e Sokol Mjacajt është futur me dron në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ndërsa ka dyshime se ai nuk ka vepruar i vetëm në krimin e pasdites së djeshme ku humbi jetën Arben Lleshi.
“Armën e kam siguruar më shumë se një muaj e gjysmë më parë”, ka dëshmuar Sokol Mjacaj para hetuesve.
I burgosuri me dënim përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë ka deklaruar para hetuesve se të dënuarin Arben Lleshin e ka vrarë pasi kishte sherr me të sepse ky i fundit nuk e ka pranuar në sektorin e burgut, raporton News24.
Por sipas burimeve mediatike, kjo alibi e Sokol Mjacajt është rrëzuar nga Prokuroria, pasi ka dyshime për vrasje të organizuar kundrejt pagesës. Aktualisht në polici janë të shoqëruar 18 punonjës të burgut, civilë por edhe policë.
Mësohet se Sokol Mjacaj dy muaj më parë ka patur një takim me dy familjarë të tij, pasi këta të fundit thuajse nuk e takonin fare. Sakaq, viktima Arben Lleshi nuk kishte kontakte me familjen prej më shumë se 3 vitesh.