Kompania Meta deklaroi të premten se kishte identifikuar përpjekje të mundshme hakerimi në llogaritë e WhatsApp të zyrtarëve amerikanë nga administratat e presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump.
Sipas kompanisë mëmë të Facebook, Instagram dhe WhatsApp, pas këtyre përpjekjeve qëndron i njëjti grup hakerësh iranianë të zbuluar në fillim të këtij muaji se kishin kompromentuar fushatën e Trump. Bëhet fjalë për APT42, një grup hakerash që besohet gjerësisht të jetë i lidhur me një divizion të inteligjencës brenda ushtrisë së Iranit.
Kompania shtoi se kishte bllokuar llogaritë pasi përdoruesit raportuan aktivitetin si të dyshimtë dhe nuk kishin parë asnjë provë që sugjeronte se llogaritë e synuara të WhatsApp ishin komprometuar.
Meta nuk përmendi individët e shënjeshtruar, duke thënë vetëm se hakerët “duket se janë fokusuar te zyrtarë politikë dhe diplomatikë, biznes dhe figura të tjera publike, duke përfshirë disa të lidhur me administratat e Presidentit Biden dhe ish-presidentit Trump”.