Apeli i GJKKO i ktheu masën “detyrim paraqitje”, Berisha refuzon të firmosë

Sali Berisha nuk pranon të firmosë marrjen në dijeni të vendimit të Apelit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që i riktheu masën e sigurisë.

Report Tv mëson se policia e Tiranës ka shkuar po dje pranë banesës së tij në rrugën ‘Mustafa Metohiti’ në kryeqytet për t’i komunikuar vendimin e Apelit të GJKKO-së që ktheu masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, dy herë në muaj para oficerëve të policisë gjyqësore.

Kryetari i PD-së Sali Berisha ishte në banesë kur policia ka shkuar për t’i komunikuar vendimin por mësohet se ai nuk ka pranuar të firmosë, informon gazetari i Report Tv dhe shqiptarja.com Sokol Dema.

Një qëndrim i ndryshëm i Sali Berishës nga sa kishte deklaruar në media se do të zbatonte vendimin e Apelit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që i riktheu masën e sigurisë, ndonëse e cilësoi si një “vendim pa asnjë bazë ligjore” me qëllime elektorale nga kryeministri Rama dhe një urdhër politik prej tij.

Sipas vendimit të marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e 6 janarit në SPAK. Në një konferencë për median para gazetarëve Berisha tha sot se do të paraqitej në SPAK ndërsa sulmoi gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.

Seanca

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar në Apel që ndaj Berishës të rivendosej masa e “arrestit shtëpiak”, pasi Gjykata e Posaçme vendosi në fund të nëntorit 2024 t’ia hiqte këtë masë. Prej disa javësh Berisha i është kthyer personalisht në veprimtaritë periodike partiake e parlamentare, si dhe në drejtim të protestave opozitare.

SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim ndaj ish kryeministrit Berisha gjatë procedurave në privatizimin e ish klubit sportiv Partizani, gjatë të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e tokës, ku gjendej kompleksi sportiv, dhe ku tani janë ngritur një grup pallatesh.

Sipas SPAK-ut, ish kryeministri Berisha ka shfrytëzuar postin zyrtar, teksa ka miratuar ligje dhe akte nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit për të mundësuar privatizimin e kompleksit sportiv.

Prokuroria e Posaçme dyshon se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që këto të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Malltezi për të arritur privatizimin.

Krahas korrupsionit në bashkëpunim për Berishën dhe Malltezin, SPAK-u ka ngritur akuza edhe për tre persona të tjerë korrupsion aktiv dhe për pastrim parash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com