Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi akuzon mazhorancën se nuk po lejon opozitën të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Duke folur për gazetarët nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Bardhi u shpreh se opozita nuk po lejohet që të marrë pjesë duke i bllokuar kërkesën për të caktuar anëtarët e saj.
“Sot siç jeni njoftuar ishte premtuar një akt tjetër i farsës mes deputetëve të mazhorancës dhe deputetëve me mandat opozitar që janë në komision me vullnet të mazhorancës për të bërë sikur kanë ndërmend të bëjnë reformë zgjedhore. Qëllimi i sotëm ishte t’i hidhni hi syve qytetarëve. Nëse do dëshironin reformë zgjedhore do duhet ta kishin përmbyllur gjatë këtyre 2 viteve. Sot opozita nuk ka bllokuar komisioni, është mazhoranca që ka bllokuar pjesëmarrjen e opozitës sepse ka si qëllim të bllokojë reformën zgjedhore. Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira prandaj nuk dëshiron përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Opozita dëshiron të marrë pjesë në komision por nuk po lejohet. Opozita dëshiron të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë reformën zgjedhore por ajo mbahet peng nga vullneti i Edi Ramës. Janë rreth 50 deputetë të opozitës që kanë humbur besimin te ata që bllokuan për 2 vite reformën zgjedhore që është interes madhor. Sa kohë kanë humbur besimin e më shumë se 2/3 të deputetëve të opozitës, nuk e kanë besimin tonë, i kemi mbështetur për 2 vite, e bllokuan punën e komisionit për 2 vite”, u shpreh Gazment Bardhi.
PD e Sali Berishës ka kërkuar disa muaj më parë ndryshimin e përbërjes së këtij komisioni në radhët e përfaqësuesve të saj, për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashi, por ndryshimi i përbërjes u rrëzua me vota në Parlament nga mazhoranca. Për këtë arsye, Rithemelimi ka paralajmëruar se do të tentojë të bllokojë punimet e këtij komisioni.
/a.r