Një anije ushtarake amerikane u nis drejt Lindjes së Mesme, me pajisjet e nevojshme për të ndërtuar një port të vogël pranë brigjeve të Gazës.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tha se anija “Gjenerali Frank S.Besson”, nisi lundrimin nga baza e shtetit të Virxhinias ditën e shtunë, 36 orë pasi presidenti Biden njoftoi planet për portin lundrues që do të mundësonte hyrjen e ndihmave në Gaza përmes detit.
OKB ka paralajmëruar se kriza e urisë në Gaza është gati e pashmangshme dhe se fëmijët po vdesin urie. Furnizimi me ndihma përmes tokës dhe ajrit ka rezultuar i vështirë dhe i rrezikshëm.
Programit Botëror Ushqimor ju desh të ndalte dërgesat tokësore pasi autokolonat me ndihma u vunë në shënjestër të zjarrit dhe plaçkitjeve. Ndërsa të premten pati raportime se 5 persona ishin vrarë si pasojë e pakove me ndihmave të hedhura nga ajri, pasi parashutat nuk u hapën siç duhet.
Pentagoni bëri me dije se mund të duhen deri në 60 ditë për ndërtimin e portit me ndihën e 1 mijë trupave, ku asnjëri prej tyre nuk do të dilte në breg.
Më shumë se 30 900 njerëz janë vrarë në Gaza që prej shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.
Konflikti ka krijuar një krizë humanitare në rritje, me OKB që paralajmëron se të paktë 576,000 persona rreth Gazës, ose çereku i popullsisë, përballen me nivele katastrofike të pasigurisë ushqimore.
/a.r