Analisti Ben Andoni dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka debatuan në studion e News24, lidhur me atë se ku po shkon PD me në krye Berishën në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Andoni tha se demokratët duhet të bëjnë ‘mea culpa’ për gabimet në të shkuarën, duke pranuar gabimet e tyre.
Ai shtoi se PD ka bërë kontrabandë me ish-Jugosllavinë në vitet ’90, ndërsa solli në vëmendje intervistën që ai ka realizuar me ish-kryeministrin e Malit të Zi, Momir Bulatoviç i cili sipas tij ka deklaruar se qeveria e kohës lejoi kontrabandën e naftës me Sllobodan Millosheviç.
Noka kundërshtoi duke thënë se Sali Berisha është i vetmi shqiptar që ka bërë më shumë për Kosovën pas Ibrahim Rugovës.
Pjesë nga debati:
Flamur Noka: Sali Berisha u shpall non grata nga Soros se ishte kundër ndarjes së Mitrovicës së Veriut. Berisha dhe Haradinaj në Kosovë ishin të vetmit kundër ndarjes. E di të sigurtë këtë.
Ben Andoni: Nuk është e vërtetë.
Flamur Noka: I kanë ardhur mesazhe nga njerëz të Soros që të ndërpresë këtë betejë dhe Sali Berisha nuk e ka ndërprerë.
Ben Andoni: Zoti Trump nuk llogarit asnjë kamp. E dini kur do të ringriheni? Kur të bëni mea culpa. Kam intervistuar kryeministrin e Millosheviç, Bulatoviç, ka takuar Berishën në Tiranë, ishte interlokutor i jashtëzakonshëm i ish-Jugosllavisë. Ai ka treguar për kontrabandën që ka bërë PD në atë kohë. E dini cili ka qenë sensi? Kishte një gjë të vërtetë. Kur erdha nga Titogradi, tha se ashtu quhej Podgorica, ishte errësirë deri në Shkodër, ishte varfëri, thash pse të mos e shfrytëzojmë kohën e luftës, na duhej energji dhe ju mund të na e jepni këtë. Zoti Berisha ishte mendimtar, tha, ishte interlokutor i jashtëzakonshëm, tha. Gjërat për luftën, më besoni, janë gjëra të rënda. Për Kosovën ne kemi gjynahet tona.
Flamur Noka: Po ka një shqiptar pas Ibrahim Rugovës që ka bërë për Kosovën, ky shqiptar quhet Sali Berisha. Po ka një shqiptar që e ndjen Kosovën, ky është Sali Berisha. Po ka një shqiptar që është bërë vëlla me Vucicin, ai është Edi Rama.