ANALIZË nga Preç Zogaj: Hetimet në sferat e larta si normalizim i rendit demokratik

Preç Zogaj

Momenti i përballjes së politikanëve dhe ish politikanëve të lartë me hetimin penal dhe drejtësinë “lexon” në vetvete shkallën e sundimit të ligjit në vend. Njëherësh, botëkuptimin e tyre për ndarjen e pushteteve në shoqërinë demokratike. “Askush mbi ligjin”, si postulat i shtetit të së drejtës, ka parasysh para së gjithash pikërisht një fashë të fuqishmish që janë të tunduar ta shohin veten jashtë çdo hetimi, akuze penale, gjykimi dhe dënimi për krimet e provuara.

Vendet demokratike e kanë normalizuar me kohë kalimin në skanerin e drejtësisë të zyrtarëve të lartë kur ndaj tyre ndërmerren hetime dhe ngrihen akuza. Vetë këta ndërtojnë mbrojtjen që ua garanton ligji, por as e çojnë nëpër mend të shmangin drejtësinë. Nuk munden, edhe po të duan. Pengimi i drejtësisë u kushton më shtrenjtë.

Në vendin tonë, për një kohë të gjatë kastat politike e vunë veten mbi ligjin, mbi drejtësinë, mbi llogaridhënien institucionale. Duke sfiduar me arrogancë edhe ndonjë përpjekje të organeve të drejtësisë për të zbardhur afera të ndryshme. Kjo sjellje e mundësuar nga solidariteti de fakto i kastës plurale për ta mbajtur drejtësinë jashtë godinave të pushtetit prodhoi dy pasoja shumë të rënda për demokracinë tonë: pandëshkueshmërinë në sferat e larta dhe invalidimin e vetë drejtësisë. Sfidanti kampion në këtë rrafsh mbetet Sali Berisha. Për çfarë edhe është cilësuar pengues i drejtësisë në pikën e tretë të shpalljes së tij non gratta nga Departamenti i Shtetit amerikan.

Me ndryshimet që kanë ndodhin e po ndodhin, hetimi dhe gjykimi i ministrave, ish ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nuk është më një tabu. Shpresa se pandëshkushmërisë po i vjen fundi është në rritje. Sipas sondazheve në televizionin Euronews Albania, SPAK është ndër institucionet me besueshmërinë me të lartë në publik.

E mira do të ishte që pikërisht ata që i kanë më shumë borxhe drejtësisë të jepnin shembullin e respektimit të institucioneve të saj. Duke e sfiduar në përballje akuzën dhe gjykimin për akuzat që i mendojnë të padrejta. Ky është rregulli.

E kanë zbatuar Andreoti, Berluskoni, Shirak, Sarkozi, Tramp…Lista është e gjatë. E zbatojnë në Shqipëri ish ministrat Mediu, Beqja dhe të tjerë. Për të gjitha ata që nuk mendojnë të fshihen, përballja për akuzat në aulën  e drejtësisë nuk ka alternativë tjetër. Gjithsesi, paraqitja në prokurori a në gjykata ditën kur i thërrasin rrezaton përulësinë e shtetarit dhe vlerën e shembullit të mirë për të tjerët.

Ndërgjegjja demokratike dhe njerëzore e konsideron virtyt reagimin kundër shkeljes së të drejtave të personit në hetim a nën akuzë. Kjo ka ndodhur e do të ndodhë përsëri nëse shihet se dikujt po i bëhet padrejtësi. Por nuk gjej arsye të ngrihen alarme sepse SPAK po kërkon të marrë në pyetje ish kryeministrin. SPAK është organi i akuzës . Drejtësinë e jep gjykata. Në një sistemi gjykimi të hapur me disa shkallë nuk ka shanse të dënohesh me akuza të montuara. Në të kundërtën, kur subjekt hetimi janë njerëz të fuqishëm, rreziku më i madh është që i akuzuari t’ja hedhë pa u lagur për ato që ka bërë.

Ne nuk kemi patur e nuk kemi një drejtësi që e ka tepruar me zellin e saj sektar. Për shumë kohë kemi patur një drejtësi të nënshtruar ndaj politikës. Me SPAK-un, me prokurorët kurajozë dhe profesionistë të këtij institucioni, me gjyqtarët në lartësinë e misionit, me mbeshtetjen e madhe amerikane dhe europiane për drejtësinë e re, historia po kthen fletën, drejtësia po konsolidohet. Pavarësisht shigjetave që lëshon herëpasherë drejt SPAK kryeministri Rama, apo sulmeve të përditshme denigruese të ish kryeministrit Berisha.

Kjo është një sfidë për një të ardhme vërtetë të re. Është ndërkaq një betejë e një rrafshi me tërë me pjesëmarrjen e shumë segmenteve politike, mediatikë dhe ekonomike. Në një anë është përpjekja për të “normalizuar” sanksionimet non gratta deri duke dashur t’i bëjë qesharakë. Në anën tjetër përpjekja për të normalizuar drejtësinë në sferat e larta. Normalizmi i sanksionimeve na çon në izolim nga perendimi. Normalizimi i hetimeve çon në normalizmin e rendit demokratik me gjithë pasojat pozitive në zhvillim, në integrim, kudo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com