Analiza/ Kuvendi dështon të plotësojë vakancat në institucionet e pavarura

Krerët e institucioneve të pavarura vijojnë të qëndrojnë në detyrë jashtë mandatit kushtetues ndërsa zëvendësimi i tyre mbahet peng i procedurave ligjore dhe pakteve politike.

Në muajin qershor gjatë raportimit në Kuvend për punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kryetares Naureda Llagami iu vu në dukje fakti nga deputetë të Komisionit të Ligjeve se ajo po qëndronte në detyrë jashtë afateve kushtetuese.

“Prania e zonjës Llagami këtu ngre një shqetësim që lidhet me faktin se duke vlerësuar se KLGJ dhe KLP janë dy institucionet më të rëndësishme që garantojnë qeverisjen e sistemit, është një fakt që një e katërta e dy këshillave janë me mandat të përfunduar,” tha Fatmir Xhafaj duke e cilësuar këtë gjë si joserioze.

Mandati i Llagamit dhe 5 anëtarëve të tjerë nga dy këshillat përfunduan në dhjetor, ndërsa Kuvendi vetëm në korrik arriti të zëvendësojë 4 anëtarë nga listat e kandidatëve të ardhura nga avokatia, por shtyu për sesionin tjetër zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj nga radhët e shoqërisë civile, listë nga e cila pritej të zëvendësohej dhe Llagami.

Nënkomisioni i Posaçëm i Ligjeve për zgjedhjen e anëtarëve në dy këshillat e lartë të drejtësisë nuk e përfundoi brenda këtij sesioni parlamentar procesin e përzgjedhjes me short nga kjo listë, proces që parashikohet të dështojë për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kandidatëve.

Në mbledhjen e fundit në fund të korrikut nuk u arrit konsensus politik për të futur në listën përfundimtare emra nga lista e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, kështu që në garë mbeten vetëm dy emra; Erion Fejzulla dhe Violanda Theodhori për 1 vend në KLGJ dhe për vakancën në KLP është kandidat i vetëm Erion Fejzulla.

Vendi vakant në KLP që do të zëvendësohet nga ky proces është ai i Alfred Ballës, ish-kryetar i këtij organi, të cilit i humbi e drejta e mbajtjes së mandatit pasi në prill Kolegji i Posaçëm i Apelimit e largoi atë nga sistemi i drejtësisë.

Plotësimi me vonesë i vakancave në organet kushtetuese apo institucione të tjera të krijuara me ligj është kthyer në një praktikë të zakonshme parlamentare, ku për shkak të zvarritjes së procedurave parlamentare apo mungesës së konsensusit politik ku duhet një votim me dy të tretat, mbajnë peng proceset zgjedhore të Kuvendit.

Sipas të dhënave zyrtare që BIRN siguroi nga zyra e shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend, aktualisht janë 16 vende vakante në organet e pavarura që duhet të zgjidhen nga Kuvendi, ku bëjnë pjesë krerë institucionesh dhe anëtarë bordesh.

Përveç dy vendeve në këshillat e sistemit të drejtësisë, lista përfshin Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 7 anëtarë të bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe 3 anëtarë të bordit të INSTAT.

Po ashtu lista përfshin dhe vakancat e pritshme me nisjen e sesionit të ri parlamentar, me mbarimin e mandatit të Nënkomisioneres Shtetërore të Zgjedhjeve, Lealba Pelinku dhe Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Olsi Çoku, për pozicionin e të cilit Kuvendi ka shpallur thirrjen për aplikime.

Sipas rregullores së Kuvendit, kandidaturat për vakancat e reja duhet të propozohen deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të institucionit dhe jo më vonë se 10 ditë pas në rastet e shkarkimit të tyre.

Megjithatë, afatet janë shkelur në një pjesë të madhe të rasteve dhe procedurat mbahen pezull për një kohë të gjatë, ku rekordin e mban procedura e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, e cila ka nisur në mars të vitit 2022.

Shkak për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni është bërë mungesa e një pakti politik mazhorancë opozitë si një praktikë e ndjekur më herët për të pasur një figurë konsensuale drejtuese të propozuar nga opozita.

Procesi ka mbetur në fazën e fundit, atë votimit në seancë plenare, pasi prej muajsh janë zyrtarizuar 7 emra kandidatësh që kanë mbledhur firmat e jo më pak se 28 deputetëve nga lista fillestare me 15 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore. Ata janë: Vitore Tusha, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Bledar Dervishaj, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.

Ky ishte procesi i dytë i kandidimit pasi në procesin e parë kandidatët që u futën për votim në seancë u rrëzuan për mungesën e një pakti politik.

Mazhoranca justifikohet me mungesën e një qartësie se kush e përfaqësonte opozitën në Kuvend për të arritur në një marrëveshje për kandidatin fitues.

“Nuk ishim të qartë se kush është opozita, për shkak të problemeve mes tyre”, i tha Bledi Çuçi BIRN-it gjatë konferencës së fund-sesionit, kur mbante akoma detyrën e kreut të grupit parlamentar të PS-së.

Ndërsa për vonesat që lidhen me zgjedhjet në organet e drejtësisë, duket se mazhoranca po fajëson dispozitat ligjore strikte dhe do të propozojë riformulim të afateve e kritereve nëpërmjet komisionit të posaçëm për “reformat antikorrupsion” që drejtohet nga Fatmir Xhafa.

Çuçi e cilësoi një “shqetësim” tejkalimin e afateve dhe numrin e vogël të kandidatëve në garë.

“Përveç faktit që kemi pasur një lloj vakumi dhe në prurje për shkak të filtrave të fortë që kemi vendosur, duhet të reflektojmë për të konsolioduar këto reforma që kemi marrë”, tha Çuçi, duke shtuar se kjo është një nga çështjet që duhet të adresojë komision i posaçëm.

Sipas tij, komisioni “Xhafa”, “do të bëjë një bilanc me ushtrimin që kemi bërë me korpusin e ri ligjor të drejtësisë”.

Por, opozita i sheh këto vonesa si përpjekje të mazhorancës për të kapur institucionet e pavarura.

Dhurata Çupi nga Partia Demokratike, i tha BIRN-it se “mazhoranca ka një synim; të kontrollojë çdo institucion të pavarur dhe opozita nuk do të pranojë të bëhet pjesë e këtyre përpjekjeve”.

“Kapja e KLP dhe KLGJ ishte shembulli më i mirë i asaj që denoncon opozita”, shtoi ajo duke iu referuar procesit të kontestuar për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në këto dy këshilla.

Ndërkohë Çupi shton se opozita nuk është bërë pengesë për plotësimin e këtyre vakancave në kohë, por përkundrazi ka qenë e angazhuar.

“Kemi kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe ligjore për plotësimin e vakancave dhe kemi kërkuar respektimin e pavarësisë në këto institucione, por nga ana tjetër kemi parë përpjekjet e vazhdueshme të mazhorancës për të kapur organet e pavarura”, përfundoi ajo. (BIRN)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com