I nxehur nuk është vetëm Vladimir Putini. Edhe Perëndimi mund të ketë qenë i zemëruar me udhëheqësin rus për përshkallëzimin e kërcënimit bërthamor, duke thënë për herë të parë se vendi i tij mund të hedhë një bombë atomike ndaj një rivali jo-bërthamor.
Por përshkallëzimi i retorikës nga Moska, është në fakt vetëm një pjesë e nxitimi mbarëbotëror për të zhvilluar, vendosur në gatishmëri dhe shfrytëzuar frikën nga armët bërthamore, ndërsa po bie detanta e deridjeshme ndërkombëtare, dhe po shfuqizohen edhe traktatet e kontrollit të armëve.
Amerika, Rusia dhe Kina po i modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore. Irani po ecën me shpejtësi drejt prodhimit të bombës së tij, ndërsa Izraeli ka nisur sulme ajrore ndaj bazave të programit bërthamor të rivalit të tij, me shpresën e ndalimit të tij.
Vendet e mesme jo-bërthamore, nga Koreja e Jugut në Arabinë Saudite, po diskutojnë në mënyrë aktive zhvillimin e programeve të tyre. Gjithçka i ngjan doktrinës së famshme të Luftës së Ftohtë të Shkatërrimit të Sigurt Reciprok (MAD). Kërcënimi në rritje i luftës në mbarë botën, dhe situata e tensionuar në Evropën Lindore, nënkupton rikthimin e doktrinës së parandalimit MAD, edhe pse shumë njerëz shpresonin që ajo të ishte arkivuar në analet e historisë.
Irani ka qenë në prag të ndërtimit të bombës së tij të parë menjëherë pasi Donald Trump u tërhoq në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore e firmosur nga SHBA-ja në vitin 2015, duke rivendosur sanksionet. Por që nga ai moment dhe sidomos që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, vende të tjera nga Lindja në Perëndim, e kanë kthyer sërish kokën nga armët bërthamore, por edhe kanë parë se si është shpërblyer zotërimi i tyre, madje edhe kërcënimi për përdorimin e tyre.
Vetëm muajin e kaluar, Koreja e Veriut testoi raketën e saj balistike ndërkontinentale Hwasong-19. Regjimi i Kim Jong-un, i vetmi që ka mundësi të realizojë një goditje parandaluese ndaj një armiku, si pjesë kyçe e doktrinës së tij bërthamore, zotëron rreth 30-50 bomba dhe i vetmi dyshim deri më tani, ka qenë nëse i kishte mjetet për t’i lëshuar ato drejt një objektivi.
Në fillim të këtij viti, Pheniani e konfirmoi këtë, dhe madje tregoi për herë të parë impiantin e vet të pasurimit të uraniumit, duke e shtuar shpejtësinë dhe substancën në objektin ekzistues të ripërpunimit të plutoniumit, të cilin e ka përdorur për të ndërtuar rezervat e veta bërthamore.
Koreja e Jugut ka luajtur në të kaluarën me idenë e zhvillimit të këtyre armëve, por deri më sot i ka rezistuar tundimit për t’i pasur. Por tani një pakicë gjithnjë e më e zëshme e strategëve të saj, po thonë se me regjimin tejet agresiv të Kim dhe në aleancë të ngushtë me Rusinë, Koreja e Jugut ka nevojë të ketë në dispozicion bombën e saj bërthamore.
Udhëheqësi jozyrtar i këtij grupi, Cheong Seong-chang, një analist i njohur dhe autor i librit “Pse duhet të bëhemi fuqi bërthamore”, e ka shfrytëzuar fitoren e Trumpit në zgjedhje e fundit për të çuar përpara kauzën e tij.
Ai ka rikujtuar faktin që Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërheqë trupat amerikane nga Koreja e Jugut, duke përdorur të njëjtat argumente si ato për Evropën, sipas të cilit vendet e largëta nuk duhet të mbështeten më tek Uashingtoni për mbrojtje. “Nëse ne nuk i pranojmë kërkesat e SHBA-së, do të humbim në mënyrë të pashmangshme ombrellën e saj bërthamore”- deklaroi ai së fundmi.
Seuli këmbëngul se qëndrimi i tij mbrojtës, ka të bëjë me fqinjin verior dhe kërcënimet e përsëritura të familjes Kim përgjatë dekadave, për ta reduktuar në pluhur e hi Korenë e Jugut. Por disa analistë dyshojnë se me këtë lëvizje Seuli, dëshiron të pengojë edhe fqinjin tjetër shumë më të madh, Kinën.
Presidenti i saj Xi është një tjetër lider botëror që ka nxitur shtimin e armëve bërthamore. Për dekada të tërë pasi Mao mbikëqyri testin e parë bërthamor të Kinës në vitin 1964, Pekini mbajti një forcë parandaluese minimale, dhe ishte e vetmja fuqi e madhe bërthamore me një politikë që premtonte të mos përdorte kurrë një armë bërthamore, nëse nuk sulmohej më parë nga dikush.
Sot nuk është më e qartë nëse është kështu. E qartë është vetëm se presidenti Xi ka nxitur një rritje dramatike të arsenalit bërthamor të vendit dhe një reformim të gjerë të forcës së tij raketore, që shihet prej kohësh si pjesa më e korruptuar dhe joefikase e ushtrisë kineze.
Tani Kina ka nëndetëse të armatosura me armë bërthamore, për të balancuar forcën e ngjashme të Britanisë dhe Amerikës, dhe po ndërton çdo vit 100 bomba bërthamore të avancuara. Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina është nënshkruese e traktatit të mospërhapjes bërthamore dhe e angazhuar të mos ndihmojë vendet e tjera të kenë armë bërthamore.
Por nuk ka asnjë provë që e ka bërë këtë, edhe pse disa analistë dyshojnë se të paktën mund të ketë monitoruar bashkëpunimin midis Koresë së Veriut dhe Iranit mbi programet e tyre të zhvillimit të raketave. Ndërkohë, Pakistani besohet se po zhvillon një sistem raketor me aftësi bërthamore që do të përdoret tek avionët e tij bombardues JF-17, të cilët po prodhohen së bashku me Kinën.
Për Uashingtonin, janë edhe më alarmante raportet se Kina është ofruar ta ndihmojë Arabinë Saudite me një program të ndërtimit të raketave, dhe një program tjetër bërthamor me një përdorim potencialisht të dyfishtë, ku njëri që synon pasurimin e uraniumit për reaktorët bërthamorë të prodhimit të energjisë, dhe tjetri për prodhimin e armëve bërthamore.
Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i vendit, ka deklaruar se nëse Irani pajiset me këtë bombë, edhe Arabia Saudite do bëjë të njëjtën gjë. Thuhet se Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar atë të mos bashkëpunojë me Kinën. Por zyrtarët sauditë, kanë shprehur privatisht pakënaqësi që presidenti Biden ka vendosur veton kundër ndihmës për një program të pasurimit të uraniumit.
Dhe më në fund në lëvizje janë vetë SHBA-të. Ndërsa ankohet për kërcënimet e Rusisë, Amerika i ka shkelur për vite më radhë traktatet bërthamore, e bindur se si superfuqia e vetme në botë ato ishin të panevojshme. Nëse kjo ka qenë një llogaritje e gabuar, s’ka gjasa të ndryshojë nga Trump.
Madje, Robert O’Brien, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare në mandatin e parë, bëri thirrje këtë verë që SHBA-ja të rinisë testimin e armëve të saj bërthamore. Sipas tij ajo duhej të “ruajë epërsinë teknike dhe numerike ndaj rezervave bërthamore të Kinës dhe Rusisë”, shkroi ai në revistën Foreign Affairs.
Apeli i tij i paraprin një doktrine bërthamore që tashmë është miratuar nga Biden, edhe pse nuk është publikuar e plotë, e cila kërkon për herë të parë që Amerika të përgatitet për t’u përballur me një kërcënim të njëkohshëm nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut, pasi të treja ish-fuqitë komuniste dhe ato aktuale, po krijojnë një aleancë haptazi anti-amerikane.
Doktrina e re mund të përfshijë edhe zgjerimin e arsenalit të SHBA-së, i mbajtur prej kohësh në nivele të qëndrueshme. Por çfarë ndodhi me marrëveshjet e kontrollit të armëve, që supozohej t’i jepnin fund garës së armëve bërthamore, e cila dikur e trembte aq shumë botën? Shkatërrimi i Sigurt Reciprok (MAD) nuk ishte thjesht një slogan i shkëlqyer.
Ai buronte nga vetëdija mbi dëmet kishin shkaktuar dy bombat që hodhi SHBA-ja në Japoni. Asnjë përfitim territorial strategjik i imagjinueshëm, apo edhe shkatërrimi i kapitalizmit a komunizmit, nuk do t’ia vlente humbjen e qyteteve të mëdha dhe jetës së miliona njerëzve, e lëre më pastaj fundin e botës.
Thënë thjesht: lufta bërthamore ishte sipas përkufizimit një konflikt që nuk mund ta fitonte dot askush. “Mund ta krahasojmë me dy akrepa të futur brenda në një shishe. Secili është i aftë të vrasë tjetrin, por vetëm duke rrezikuar jetën e tij”- deklaroi në vitin 1960, J.Robert Oppenheimer, “babai” i bombës bërthamore.
Por përtej kërcënimit me fundin e botës, doktrina MAD kishte të metat e saj. Njëra prej tyre, e theksuar edhe në doktrinën bërthamore ruse të rishikuar nga Putin, kishte të bënte me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore më të vogla, të ashtuquajturat taktike. MAD varej nga ideja se lufta bërthamore do të përfshinte përdorimin e bombave si ato që u hodhën në Japoni.
Ukraina nuk ka armë bërthamore, pasi ka hequr dorë prej tyre kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, në këmbim të garancive të sigurisë të refuzuara tani nga Rusia. Prandaj, duke përdorur armët bërthamore taktike Rusia mund të kishte një avantazh të madh, thuajse me siguri fitoren.
Armët taktike, një fraksion i madhësisë së bombave të Hiroshimas apo Nagasakit, mund të lëshohen nga artileria apo tanket, ose t’i bashkangjiten raketave me rreze të shkurtër veprimi. Për të përballuar këtë kërcënim, fuqitë bërthamore të Perëndimit, do të duhej t’i bashkoheshin direkt luftës, diçka që nuk do të kishin dëshirë ta bënin, pasi Ukraina nuk është zyrtarisht aleate.
Megjithatë, problemi më i madh me teoritë e parandalimit që kanë pasur ndikim deri kohët e fundit, e ka origjinën në fillimet e Luftës së Ftohtë. Pas krizës së raketave kubane në vitin 1962, kur MAD u testua deri në limite, ndërsa presidenti amerikan Kennedy dhe ai sovjetik Nikita Krushchev, u përpoqën të luanin blofin ndaj njëri-tjetrit, të dyja palët menduan se ishte një ide e mirë që ta zyrtarizonin këtë teori.
Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore i vitit 1970, i kufizoi armët bërthamore në 5 vendet që tashmë i kishin ato. Moska nuk do ta ndihmonte kolonelin libian Gadafi të pajisej me këtë bombë. Ndërsa Traktati i Raketave Anti-balistike (START I) i vitit 1972, i ndaloi të dyja palët për zhvillimin e mbrojtjes raketore, ruajti në mënyrë paradoksale efektin parandalues të armëve bërthamore.
Por që nga momenti, kur u bë e qartë se Amerika po e fitonte Luftën e Ftohtë, në fillim ekonomikisht, por që nga vitet 1980 edhe politikisht dhe ideologjikisht, jo pak republikanë nisën të pretendonin se kontrolli i balancuar i armëve, e kufizonte në mënyrë të pabarabartë fuqinë e SHBA-së.
Mbi START II u ra dakord në vitin 1979, por ai nuk u ratifikua kurrë nga Kongresi i SHBA-së, në shenjë proteste ndaj Bashkimit Sovjetik që përdori forcën për ta mbajtur Afganistanin brenda orbitës së tij politike. Më pas presidenti Reagan miratoi “Nismën e Mbrojtjes Strategjike” – e njohur si Star Wars – për të zhvilluar mbrojtje të avancuara raketore.
Në vitin 1999, një Kongres me shumicë republikane refuzoi të ratifikonte Traktatin e Ndalimit Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore. Administrata e presidentit George W.Bush nuk i rifilloi kurrë bisedimet për START III, të nisura nën presidentët Clinton dhe Yeltsin.
Madje kur Shtëpia e Bardhë e Bush u tërhoq nga Traktati i Raketave Anti-Balistike në vitin 2002, Putini ndoqi të njëjtin shembull të nesërmen duke u tërhequr nga START II. Që atëherë situata është përshkallëzuar. Rendi i vjetër bërthamor ka marrë fund, dhe e vetmja gjë që parandalon katastrofën është edhe një herë doktrina MAD./ “The Sunday Times”.