Shumica socialiste bashkë me deputetët e rithemelimit, janë duke e vijuar klimën e mirë të bashkëpunimin pas miratimit të dy komisioneve hetimore edhe me miratimin e amnistisë të burgosurve.
Top Channel mëson se socialistët synojnë miratimin e kësaj amnistie nga ku do të përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe mbi 2000 të tjerë, në shërbim prove në seancën e të enjtes 4 Prill.
Burime nga shumica socialiste pohuan për Top Channel se kolegëve të opozitës i është kërkuar të sjellin çdo sugjerim të mundshëm, përfshi edhe zgjerimin nga 3 vite për ta çuar në 5 vite kohë përfitimin nga amnistia.
Ndërkohë, Gazment Bardhi publikisht është shprehur pro në parim për miratimin e amnistisë por ka vendosur disa vija të kuqe. Sipas tij, në mënyrë kategorike nga kjo amnisti nuk duhet të përfitojnë politikanë tashmë të dënuar apo në procese gjyqësore.
Sikurse amnistia nuk duhet të përfshi në ulje dënimi, siç parashikon amendamenti “Ndreca” të zyrtarëve të dënuar nga Gjykata Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Për mungesë të 84 votave socialistët katër javë më parë e tërhoqën nga rendi i ditës projekt ligjin e amnistisë. Megjithatë ministri drejtësisë Ulsi Manja, këtë zhvillim e komentoi jo me doza shqetësuese.
Përkundrazi i mëshoi faktit se kjo amnisti e propozuar nga qeveria do më miratohet me një konsensus të gjerë votash mbi 84.
Top Channel nga burime pranë Drejtorisë së Burgjeve mëson se shumë të burgosur, në të gjithat burgjet e vendit, të cilët janë në kategorinë e përfituesve nga amnistia kanë telefonuar deputetët demokrat të zonave të tyre, duke u kërkuar ngritjen e kartonit jeshil për këtë amnisti.