Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat u shpreh i prerë mbi kushtet që Partia Demokratike ka për të votuar projektligjin e amnistisë penale. Alibeaj përmendi 2 kushte duke theksuar se PD do të votonte versionin fillestar të paraqitur.
“Dy kushtet tona për amnistinë penale janë: E para mos të përfshihen në amnisti personat e dënuar apo personat që janë nën hetim nga SPAK dhe GJKKO. Dhe e dyta, të përfitojnë nga amnistia të gjithë qytetarët që kanë protestuar për kauzat e tyre.
Ne jemi të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjell qeveria. E kam pyetur publikisht ministrin Manja nëse e kishte diskutuar projekligjin fillestar me Institucionet e reja të drejtësisë, kam marrë një përgjigje pozitive. Pra projektligji kishte marrë dritën jeshile nga SPAK, GJKKO, KLGJ. Dhe e dyta, mos të futen amendamente tinëz në momentin e fundit që nuk janë në të mirën e interesit publik të kësaj amnistie”- u shpreh Alibeaj.
Ai theksoi se nuk ka asnjë negociatë nga ana e grupit të deputetëve të PD me qeverinë duke theksuar se nuk do të votohet një projektligj nga i cili, sipas tij amnistohen të dënuarit nga GJKKO apo persona nën hetim nga SPAK.
“Nuk kemi asnjë negociatë me qeverinë. Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hatim nga SPAK”- shtoi Alibeaj./m.j