Deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24, tha se amnistia penale nuk kaloi në parlament, pasi nuk kishte votat e mjaftueshme. Ai tha se të dënuarve të GJKKO-së iu ulet dënimi, por se nuk lirohen. Sipas tij, ligji për amnistinë penale ka qasje humane.
“Amnistia penale u shty, sepse maxhoranca donte më shumë vota se 84. Për amnistinë penale nuk u arrit konsensusi. Duhet sqaruar se të dënuarve të GJKKO u ulet dënimi, nuk lirohen. PS e bën këtë gjë, sepse nëse kryefamiljari ndodhet në burg, vuan gjithë familja. T’u japim mundësinë këtyre personave, një shans të dytë. Nëse nuk realizohet amnistia, nuk humb PS. Këtu humbasin kryefamiljarët që presin të shkojnë në shtëpitë e tyre, humbasin gratë, që duan të shkojnë tek fëmijët e tyre. Atyre që janë nën akuzë nga GJKKO, nuk iu zhduket dënimi, por iu ulet dënimi me 1 vit. Këtu nuk flitet me emra, siç bën opozita, këtu flitet me vepra. Këtu amnistohen vepra dhe jo njerëz. Këta njerëz që përfitojnë, 700 persona duhet të lënë qelinë dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre. Nuk duhet të përkthehet gjithçka në burg, sepse ndikon negativisht në çdo aspekt, ka kosto edhe për shtetin, edhe për individin. Suksesin tonë ne nuk e masim në raport me opozitën, por me qytetarët”, tha Qefalia.
Xhemal Qefalia theksoi se vizitat në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe tashmë të presidentit ukrainas Volodymir Zelensky janë tregues se Shqipëria është në një tjetër nivel.
“Opozita është e gatshme që të presë se edhe zyrtarë të lartë të tillë, të presë Sekretarin Amerikan të Shtetit. Shqipëria është kthyer në një vend të besueshëm, madje është një vend lider në rajon. Më vjen mirë që Tirana mban dy samite të rëndësishme, sepse i jep imazh mjaft të mirë vendit tonë. Fakti që vjen presidenti ukrainas Zelenskyy është një vlerësim dhe rezistencë që po i bëhet luftës së Rusisë në Ukrainë”, u shpreh Qefalia./f.s